Gliozheni: Një grua shtatzënë e kalon kovidin më rëndë. Vaksinimi ju shpëton jetën!

Dritare.net realizoi një intervistë ekskluzive me mjekun gjinekolog Orion Gliozheni, pranë klinikës “Gliozheni” në Tiranë, për të kuptuar më tepër mbi riskun e kovid-19, veçanërisht te gratë shtatzëna, si edhe nëse vaksinimi është i rëndësishëm për të shmangur humbjet e jetës te të gjitha ato gra që presin të bëhen nëna.

 

Athina Lolo: Si keni punuar gjatë pandemisë, në kushtet kur edhe disa nga kolegët tuaj kanë humbur jetën?

Orion Gliozheni: Unë mendoj që ky është profesioni që ne kemi zgjedhur dhe për pasojë kemi bërë edhe betimin e Hipokratit për t’ju shërbyer njerëzve në çdo moment, në çdo nevojë që të kenë. Kështu që trupa e mjekëve dhe e gjithë personelit shëndetësor ka qenë e detyruar, si në Shqipëri edhe në mbarë botën t’ju shërbejë njerëzve në nevojë në këtë situatë të vështirë pandemie .

Athina Lolo: Po tani si vijon puna për ju, kur edhe vaksinimi ka ecur mirë?

Orion Gliozheni: Puna vazhdon normalisht. Ne përsëri mbetemi një kategori e rriskuar pasi në gjithë spitalet ka njerëz me kovid që vijnë, duke pasur një mundësi të madhe transmetimi edhe tek mjekët. Pavarësisht që jemi vaksinuar ose jo rreziku i infektimit vazhdon, por gjithsesi kjo është detyra jonë dhe jemi në krye të detyrës 24 orë.

Gliozheni: Një grua shtatzënë e kalon kovidin më

Athina Lolo: Ndërkohë është rritur numri i grave shtatzëna, që po humbasin jetën nga kovidi, sepse nuk vaksinohen. Dritare është sot këtu për mesazhin tuaj, drejtuar gjithë nenave në pritje që kanë frikë nga pasojat e vaksinës! Nënave që sapo kanë lindur, gjithashtu dhe ato kanë frike sepse kanë fëmijët në gji.

Orion Gliozheni: Pyetja juaj është shumë e drejtë dhe me vend, në një moment të tillë ku ne ndodhemi, pasi ka një kaos dhe një paqartësi të popullatës veçanërisht të grave shtatzëna për idenë nëse duhet të vaksinohen apo jo.

Unë po ju bëj një përmbledhje të shkurtër të situatës për të kuptuar më mirë sesa më të qartë të jenë njerëzit, aq më të ndërgjegjshëm do të jenë në veprimet që do të marrin. Në studimet e bëra deri tani nuk ka asnjë risk më të madh për të marrë kovidin gruaja shtatzënë, në krahasim me popullatën tjetër të grave që nuk janë shtatzënë. Por çfarë ndodh, në shtatzani një grua që preket nga kovidi e kalon me simptoma shumë më të rënda sesa një grua në kushte normale dhe kjo bën që sëmundshmëria dhe vdekshmëria të jetë mjaft më e lartë tek kjo kategori. Praktikisht janë më të rrezikuara gratë që janë në moshë mbi 35 vjeç shtatzënë, ato që janë mbi peshë, ose vuajnë nga diabeti dhe hipertensioni. Këto kategori kanë edhe rrezikshmëri më të lartë qoftë për ta kaluar rëndë virusin, por edhe për vdekshmëri më të lartë . Vdekshmëria në gratë shtatzëna me kovid llogaritet 0.1% deri ne 0.8% . Pra 1 deri në 8 gra për çdo 1000 gra shtatzëna të prekura me kovid, rrezikojnë që të vdesin .

Është e vërtetë që gati 90% e grave që janë shtatzëna dhe janë me kovid e kalojnë në shtëpi, pa simptoma të rënda pa pasur nevojë për t’u hospitalizuar. Por një pjesë tjetër e grave, një kategori që përmenda dhe më lart janë të rriskuara dhe rrezikojnë edhe jetën e tyre .

Çfarë duhet të bëjmë me vaksinën? Duhet bërë, s’duhet bërë. Por, jemi në një fazë ku ka studime të shumta sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku numri i grave shtatzëna të vaksinuara është goxha i lartë, për të kuptuar efektet e vaksinës dhe është provuar që deri tani vaksina nuk ka efekte negative të rrezikshme për gruan shtatzënë .

Ka dy lloj vaksinash në qarkullim. Në SHBA janë vaksinat me RNA mesazhere, por në botë qarkullojnë edhe vaksina me virus të dobësuar. Nëse vaksina është me virus të dobësuar ka një rrezik më të madh, sepse ti fut një virus në organizëm, pra e predisponon organizmin për të pasur një infeksion.

Vaksinat që janë me RNA mesazhere e kanë këtë risk më të ulët, është provuar tashmë se gratë nuk kanë pasojë gjatë shtatzënisë, edhe ato që bëjnë vaksinën. Ajo që ende nuk dihet dhe nuk është e qartë, është se çfarë ndodh te fëmija, sepse te fëmija kërkon disa vite që të kuptosh nëse ka dhënë një risk ose pasojë, pasi vaksina ka një ndikim në sistemin imunitar të nënës dhe të fëmijës.

Por, nga ana tjetër duhet të kuptojmë atë që është më e rëndësishme, jemi në fazën e pikut të një pandemie, ku vdekshmëria është shumë e lartë, dhe ose duhet të vaksinohemi për të shpëtuar nga vdekja, ose të presim sa të dalin studime shkencore për të kuptuar. Sigurisht që duhet vlerësuar risku më i madh.

Në bazë të udhëzimeve të Kolegjit Amerikan të Gjinekologëve në SHBA rekomandohet që të gjitha gratë shtatzënë duhet të vaksinohen, sepse vaksina ju shpëton jetën. Edhe nëse infektohesh nga kovidi kur je i vaksinuar, infektimi kalon më lehtë dhe risku i vdekjes është minimal.

Gliozheni: Një grua shtatzënë e kalon kovidin më

Athina Lolo: A mendoni se pandemia do të mbarojë dhe jeta do t’i rikthehet normalitetit?

Orion Gliozheni:Pandemia do mbarojë, por se kur nuk e di, askush nuk jep dot sot një përgjigje të saktë. Ne nuk dimë sa mutacione të tjera të virusit mund të dalin. Nuk dihet nëse do të dalë një vaksinë që të mbron nga mutacionet, pasi këto mbeten për kërkime shkencore në të ardhmen. Por, që sigurisht që një ditë do të mbarojë patjetër.

Athina Lolo: Nga nisja e pandemisë numri i lindjeve është rritur apo ka rënë?

Orion Gliozheni: Numri i lindjeve ka rënë, nëse shohim statistikat për tremujorin e dytë të 2021-shit, ka 10% lindje më pak se në tremujorin e dytë të një viti më parë. Kjo është e shpjegueshme, pasi në të gjithë botën paniku i pandemisë i ka frikësuar njerëzit për të nisur një shtatzani, paniku tjetër lidhur me ato që thuhet për uljen e fertilitetit si te burri edhe te gruaja. Kur ata kalojnë virusin, ose kur vaksinohen thonë prit të kalojë pak kohë, por të gjitha këto nuk kanë një bazë të vërtetë. Nga raportet e fundit të këtij viti nuk ka asnjë provë shkencore që vaksina ndikon negativisht në traktin riprodhues si të burrit edhe të gruas. Një çift që ka kaluar kovidin mund të tentojnë për një shtatzani pas një periudhe 1-3 mujore, pa pasur frikën e kovidit.

Athina Lolo: Cili është mesazhi juaj për të gjitha vajzat e reja që duan të bëhen nëna, por që kanë frikë pikërisht nga ky vit i vështirë që kemi kaluar?

Orion Gliozheni: Mesazhi i parë është që duhen vaksinuar, duke u nisur edhe nga vende më të zhvilluara se ne. Unë mora shembull gratë në SHBA, ku janë mijëra gra të vaksinuara, si dhe mijëra fëmijë që janë lindur nga këto gra të vaksinuara. Gati 2% e të porsalindurve që lindin nga nënat e prekura me kovid, kanë rezultuar kovid pozitiv , por gjithashtu mendohet se një pjesë e tyre e ka marrë virusin pas lindjes, si rezultat i frymëmarrjes së nënës, pra jashtë uterusit.

Vaksinimi i shpëton jetën sidomos kategorive të grave shtatzënë, që janë mbi moshën 35 vjeç, ato që mund të kenë obezitet, ose që vuajnë nga diabeti dhe hipertensioni. Por të gjitha gratë shtatzëna rrezikojnë që ta kalojnë kovidin shumë më vështirë se gratë që nuk janë shtatzënë, prandaj vaksinimi është një mjet që ju shpëton jetën.

Share With:
Translate »
196 Views