Gratë shtatzëna duhet të testohen për streptokokun e grupit B për të shpëtuar jetën e foshnjave
Gratë shtatzëna duhet të testohen për streptokokun e grupit B, për të shpëtuar jetën e dhjetëra foshnjave çdo vit, kanë paralajmëruar aktivistët.
Streptokoku i grupit B është shkaku më i përsëritur i sëmundjes kërcënuese për jetën tek foshnjat e porsalindura, me një mesatare prej dy foshnjash në ditë të identifikuara me infeksionin, shkruan Independent.co.uk përcjell Gazeta Shneta.
Më shumë se një në pesë gra mbartin streptokokun e grupit B, një bakter i zakonshëm që normalisht nuk shkakton asnjë dëm dhe nuk shkakton simptoma.
Megjithatë, prania e tij në vaginë ose rektum do të thotë që foshnjat mund të ekspozohen ndaj bakterit gjatë procesit të lindjes.
Gratë shtatzëna në Britani nuk testohen në mënyrë rutinore për praninë e bakterit, por një hulumtim i udhëhequr nga Universiteti i Nottingham po shqyrton nëse një veprim i tillë do të ishte efektiv.
Jane Plumb, shefja ekzekutive e grupit të fushatës ‘Group B Strep Support’, tha se:
“U deshën mbi 20 vjet fushatë për të vënë në punë këtë hulumtim. Është dëshpëruese që vetëm 30 nga 80 spitalet e nevojshme janë regjistruar. Ne nuk mund ta lëmë këtë hulumtim të dështojë.
“Ne duhet të luftojmë për 800 foshnjat në vit që janë të infektuara me këtë infeksion shumë shpesh vdekjeprurës. Ne kemi nevojë për më shumë spitale për të marrë pjesë. Ne duhet të mblidhemi së bashku dhe ta kalojmë këtë provë në vijën e finishit.”
Shefja ekzektutive Plumb tha se shumica e infeksioneve të grupit B te foshnjat janë të parandalueshme.
“Nëse nuk e dimë, atëherë atyre nuk mund t’u ofrohen antibiotikët mbrojtës në lindje,” tha ajo.
“Familjet shpesh na thonë se është hera e parë që dëgjojnë për Streptokokun e Grupit B pasi fëmija i tyre sëmuret. Për një infeksion kryesisht të parandalueshëm, kjo është e pafalshme – dhe duhet të ndryshojë.
Përqindja e të porsalindurve në Angli të prekur nga Streptokoku i grupit B është më shumë se dyfishi në krahasim me shumë vende të tjera me të ardhura të larta, shumica e të cilëve kanë kryer testime të rregullta të grave shtatzëna.