Hapen konkurset për punonjës psiko-social në shkolla
Janë hapur konkurset për t’u bërë pjesë e shërbimit psiko-social në shkolla. Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi nëpërmjet llogarive të saja zyrtare në rrjetet sociale.
Ministrja thotë se këtë vit, këta punonjës do të kenë në dispozicion edhe paketën e dokumenteve të miratuara së fundmi në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, standardet e përgjithshme profesionale, parimet e etikës dhe udhëzuesin për praktikën e punës.
Këto do të ndihmojnë ndjeshëm në përmirësimin, standardizimin dhe monitorimin në mënyrë të unifikuar dhe të vazhdueshme të punës së tyre.
“Siç ju kemi informuar edhe më parë, këtë vit të ri shkollor kemi vendosur që shërbimit psiko-social në shkollat tona t’i shtohen edhe 235 punonjës të rinj në të gjithë vendin. Ky vendim ka si qëllim rritjen e mëtejshme të cilësisë së këtij shërbimi dhe mbulimin më të plotë të shkollave në të gjithë territorin, përfshirë edhe zonat periferike dhe të largëta. Dua të ftoj të gjithë kandidatët e interesuar për t’u punësuar në shërbimin psiko-social në shkolla që të aplikojnë sipas procedurave të konkurimit që sapo janë shpallur në të gjitha Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar. Informacionet e nevojshme, kriteret dhe afatet përkatëse mund t’i gjeni në çdo drejtori rajonale dhe zyrë arsimore vendore në çdo bashki të vendit.Suksese të gjithë kandidatëve!”- përfundon ministrja mesazhin e saj.