Histori suksesi në Shqipëri, lind fëmija i 8 i shëndetshëm nga prindër me HIV

Në Shqipëri ka lindur fëmija i 8 i painfektuar nga virusi HIV dhe pse prindërit kanë qenë pozitiv.

Për drejtuesen e Shoqatës së Personave që Jetojnë me HIV/AIDS, Olimbi Hoxhaj, kjo është një histori suksesi për vendin tonë, sa i takon parandalimit nga nëna te fëmija.

Olimbi Hoxhaj: “Nuk ka raste të lindur ose të infektuar nga nëna pozitive në këtë vit. Ajo që mund të përmendim këtë vit është që kemi lindjen e bebit të 8 që është negativ nga prindër pozitiv dhe kjo është ndër historitë e suksesit në Shqipëri, në kuadrin e programit të parandalimit nga nëna te fëmija”

Hoxhaj bën të ditur se duke filluar nga viti i ardhshëm, për herë të parë në Shqipëri, testi i HIV për gratë shtatzëna do të ofrohet falas.

Olimbi Hoxhaj: “Vitin tjetër pas janarit do të pilotohet vitin e parë me mbështetjen e Fondit Global dhe pastaj do të futet si një testim rutinë dhe do të ofrohet aty ku janë nevojat, në këshillimoret e nënës dhe fëmijës”  

Aktualisht në vendin tonë, për këtë vit janë regjistruar 81 raste të reja të diagnostikuar me HIV. Hoxhaj pohon se shqetësues është numri në rritje i rasteve me vdekje.

Olimbi Hoxhaj: “Kemi 81 raste të reja të diagnostikuara me HIV, nga të cilat, 57 janë meshkujt, 24 janë femra dhe kemi rastin e një fëmijë në moshën 7-vjeçare. Numri total i rasteve është 1090 deri tani . Sivjet kemi 15 raste vdekjesh, nga të cilat 3 janë nga rastet e diagnostikuara këtë vit. Faktorët kryesorë kanë të bëjnë me diagnozën e vonë, në përgjithësi 70% e rasteve hyjnë në terapi në një diagnozë të vonë”  

Sa i takon rrugëve të transmetimit, predominon ajo heteroseksuale, por nuk mbetet pas as ajo homo ose biseksuale, që mbetet e paraportuar, për shkak të fshehjes së këtyre marrëdhënieve.

Olimbi Hoxhaj: “Është karakteristikë fakti që në momentin e testimit apo plotësimit të formularit nuk raportohet orientimi seksual ose sjellja seksuale që ka sjellë infektimin e individit”  

1 Dhjetori përkujtohet në të gjithë botën si Dita ndërkombëtare kundër HIV/AIDS.

15 persona kanë humbur jetën nga HIV/AIDS brenda nje viti.

Share With:
Translate »
1163 Views