Historia e Anës, që kaloi një muaj në terapi dhe humbi babanë nga Covid-19: Djemtë më thoshin virusi nuk ekziston, tani nuk përqafohemi dot

Pak kohë më parë, ka dalë fitimtare nga një luftë e vështirë dhe fare e panjohur me një armik të padukshëm që ka pushtuar mbarë botën. Quhet Ana dhe jeton në Tiranë me bashkëshortin. Ende e dobët, e lodhur nga gjithë cfarë ka kaluar, me zërin që shpesh herë i dridhet 59 vjecarja rrëfen për News24, luftën e mundimshme me koronavirusin.
Gjithcka nisi në mes të korrikut kur një temperaturë 37.5 gradë ishte simptoma e parë që e bëri Anën të dyshojë për praninë e virusit në trupin e saj. Temperatura e vazhdueshme dhe gjendja që përkeqësohej nga dita në ditë, e detyruan Anën të shkojë në një klinikë private për të bërë skanerin e mushkërive, sepse kërkesat e saj për kryerjen e tamponit mbetën pa përgjigje. Ekzaminimi me skaner tregoi që Ana ishte pozitive me COVID 19.

Ana: Në jetën time s’jam sëmurë ndonjëherë si me Covidin. Trupi im ka luftuar jashtë mase për të mbijetuar. Që nga data 18 korrik, kam ndjerë simptomat e para. Një javë kaloi me një temperaturë, 37-37 e gjysmë dhe e pashë se me paracetamol nuk po binte. Ndjeja se diçka nuk shkonte mirë me trupin tim, kisha si këputje. Kërkova lejen e zakonshme, nuk doja të infektoja të tjerët, qëndrova atë javë në shtëpi, shkova të mjekja e lagjes, ajo e kuptoi, kisha marrje fryme. I thashë “kam alergji” se vuaj pak nga alergjia. Ajo e kuptoi por s’më tha gje paraprakisht. Me tha do fillosh 6 axitromicina urgjent. Në datën 27 korrik jam detyruar të bëj skanerin, pasi çdo ditë e më shumë mbushesha me djersë, fuqi s’kisha më. Skaneri ma nxjerr që në anën e majtë kisha 4 vatra të Covid-19. Mjekët u shqetësuan shumë, se unë kisha dhe një tiroide goxha të zhvilluar dhe kishin frikë se kjo gjë do kishte pasoja.

Historia e Anës, që kaloi një muaj në terapi dhe humbi

Në ditën e nëntë që nga shfaqja e simptomave, Ana përfundoi në spitalin Shefqet Ndroqi, pasi dridhjet e trupit dhe temperatura e lartë po e rrëzonin me shpejtësi organizmin e saj. Pas vizitës dhe diagnostikimeve, mjekët i rekomanduan të vijojë terapinë në shtëpi. Jo vetëm se në spitalet Covid kishet ngarkesë të madhe, por sepse Anës i duhej të kujdesej edhe për të atin e moshuar, edhe ai i prekur thuajse në një kohë nga koronavirusi.

Ana: Java e dytë ishte shumë më e rëndë. Po bija çdo ditë, s’kisha asnjë lloj dhimbje, vetem se ndjeja sikur mbaja një peshë shumë të rëndë në trup. Kisha dridhje të tmerrshme të këmbëve dhe një këputje totale. Dita e 9 ishte katastrofë, përfundova tek spitali Shefqet Ndroqi, gjeta një mjek të shkqëlyer që më tha urgjent të vazhdoj një terapi venoze. Nuk më rekomandoi që të shtrohesha në spital, pasi kishte urgjenca pa fund dhe në gjendje të rëndë dhe vendosëm që terapinë ta vazhdoja në shtëpi, ku kisha dhe babanë i cili 3 ditë pas meje kishte të njëjtat simptoma edhe ai me Covid ndaj filluam terapinë të dy njësoj. Mjekët panë babanë nuk e shtruan pasi panë moshën e thyer dhe ishte perudha shumë e rënduar se kishte shumë vdekje.

Terapia venoze zëvendësoi mjekimin e mëparshëm për 59 vjeçaren dhe babain e saj. Por përpos gjendjes së rënduar shëndetësore, Anës i është dashur të përballet me një sërë peripecish që kanë zanafillë te paragjykimi dhe frika për shkak të COVID 19. Për disa ditë me radhë askush nuk ofrohej të bëntë injeksionet apo serumet për të dhe të atin.

Ana: Ndryshoi komplet terapia, duhet te beja gjilpera venoze, deksametazol gjilpera, e pata shumë të vështirë. Edhe në klinika private me pagesë më është parë vetja si njeri i dorës së dytë, kur me thoshin “të lutem se je me Covid!”, nuk e kam dashur veten. Atëherë fillova të bëj lëvizjet e mia me njerezit dhe miqtë e mi. Më dërguan një infermier për gati 10 ditë, merren me terapinë venoze për mua dhe babanë tim. Vinte cdo ditë na bëntë serume dhe injeksione venoze, kisha dridhje të trupit nuk shkoja dot në banjë, koka ime nuk ngrihej më, filloi të më fikej zëri, kur më mernin njerëzit, zëri më dridhje dhe nuk flisja dot. Rashe në peshë, ushqim nuk haja, më iku shija dhe nuhatja për 14 ditë. Pas 2 javësh fillova të nuhas vetëm erën e alkoolit. Halli im ishte i dyfishtë, edhe pse isha e sëmurë duhej patjetër të ndihmoja babanë, ta ushqeja ndërroja sepse mosha ishte e thyer.

Historia e Anës, që kaloi një muaj në terapi dhe humbi

Për 18 ditë rresht, Ana pati probleme të theksuara me pagjumësinë, pasi ankthi dhe stresi i sëmundjes duket se kishin sulmuar edhe shëndetin e saj mendor. Dhe nuk është cudi, pasi në shumë raporte të OBSH thuhet se virusi Covid 19 prek edhe sistemin nervor.

Ana: 18 ditë pa vënë gjumë në sy nga mëngjesi deri në darkë, kishte filluar lodhja mendore, nuk e di çfarë ndodh me trurin… Marr doktorrin më dha një qetësues bimor që nuk më dha asnjë efekt, vazhdoja të kisha pagjumësi dhe lodhje shpirtërore, mendore. Më rekomandoi ksanaksin dhe më duhet të kurohem edhe për një muaj me të.

Pas më shumë se një muaji vuajtjesh e mjekimesh fatmirësisht gruaja tashmë është mirë, por ajo që kaloi do të ngelet gjatë në kujtesën e saj. Ana e ka pagëzuar me një emër të vecantë virozën Covid 19.

Ana: Covid 19 e kam quajtur sëmundje e vetmisë, nuk mund të kesh afër njerezit e tu, të gjithë interesoheshin përmes telefonit se si isha dhe cfarë nevojash kisha. I falenderoj mikeshat e mia, që i kam fqinje prej 40 vitesh, të cilat cdo ditë më bënin supën ma linin në derë dhe më thoshin e ke gati. Për mua ishte një ndihmë shumë e madhe në situatën që po kaloja. Nuk është turp të thuash që je prekur, e kaluam së bashku me bashkëshortin, ai ishte asimptomatik. E mori vesh përmes testit sereologjik. Tani jam mirë, kurohem me terapi vitaminash, imuniteti im është I rënë, trupi është më I qetë, kam filluar të ushqehem.

Historia e Anës nuk mbaron me përmirësimin e shëndetit të saj. Në shtratin e sëmundjes për disa ditë qëndroi edhe i ati i moshuar. Në fillim ai po e përballonte mirë terapinë; por koronavirusi tregoi edhe njëherë pabesinë e tij.

Ana: Babi me iku ….

Trupi i të moshuarit nuk mundi të luftonte më dhe u dorëzua përgjithmonë. Ana mes lotësh thotë se vdekja e të atit do të jetë pengu që do e shoqërojë gjithë jetën.

Ana: Babai im nuk e përballoi dot. Dy javët e para i përballoi shumë mirë me antibiotikët, dy javët e fundit u rëndua shumë, ishin shumë të dhimbshme për të. Edhe pse me oksigjen nuk e mbante dot më, nuk mbushej dot më me frymë, moshë e thyer, më vjen keq se përse duhet të ikte nga kjo. S’duhet ta kishim sjellë virusin në shtëpi, nuk e di ku e kemi marrë. Kujdesi im ka qenë maksimal, sepse mendoja se kam një të moshuar në shtëpi.. Nuk e di ku kam gabuar, në ndonjë lokal, nuk e di ku e kam marrë. Humba babanë… E kam varrosur vetëm me bashkëshortin tim, erdhen edhe fqinjët, qëndruan larg, patjeter. Ai ishte shumë I fuqishëm, ishte burrë intelektual, shkruante. E kam peng, më duket sikur s’duhet t’ia kishim sjellë në shtëpi, por kështu erdhi jeta.

59 vjeçarja thotë se çdo mjekim e terapi e ka mbuluar me shpenzimet e veta, pasi spitali nuk ofronte asgjë për pacientët që kuroheshin në shtëpi.

Ana: Realitet I hidhur. Ka shumë njerëz që si unë kurohen në shtëpi. Pse unë duhet të lëvizja gjithë gurët? E kisha lekun dhe smë afrohej njeri. E kisha lekun se më ndihmoi vëllai, njerëzit e mi, por nuk afroheshin. Cfarë ofroi spitali? Absolutisht asgjë. Kam marrë oksigjen për vete dhe babanë në një klinikë private, të gjitha i kam marrë privatisht. Të gjitha trajtimet për mua dhe babanë na shkuan 1 milion lekë.

Historia e Anës, që kaloi një muaj në terapi dhe humbi
Para se të diagnostikohej pozitive me COVID 19, djemtë e 59 vjeçares si shumë njerëz të tjerë ishin skeptikë mbi egzistencën dhe rrezikun e virusit. Por pas asaj që ndodhi në shtëpinë e tyre, sigurisht mendimi ndryshoi.

Ana: Kur fillova të ankohesha në fillim se s’po ndihesha mire, djali i madh më thoshte “Mama, janë teoritë e tua, nuk të ka zënë gjë”, por mua ma ndjente shpirti, e ndjeja. Ç’thonë tani? Tani i ka marrë malli të më puthin, por iu thashë “edhe 2 javë nuk do më puthni”…

59 vjeçarja iu bën thirrje të gjithëve, edhe skeptikëve; që të bëjnë kujdes për të parandaluar prekjen nga SARS Cov2. Ajo kërkon nga të gjithë që nëse nuk kujdesen për veten, të paktën të kujdesen për të tjerët.

Ana: Unë do vazhdoj ta ngrej zërin, kudo që jam. Kur shikoj në supermarkete që nuk mbajnë maskën më vjen shumë keq që ne nuk ndërgjegjësohemi, pse duhet të infektojmë tjetrin? Shpesh dëgjoj fjalët hë se grip ishte. Ju lutem kush nuk e ka kaluar, të mos thotë se është grip. Sipas mendimit tim, ky lloj virusi shkatërron sistemin imunnitar, nervor, gjithcka.

Ana sot është një nga fitimtaret në luftën me koronavirusin dhe me gjithë zemër shprehet e gatshme të dhurojë plazmën e saj, për të shpëtuar këdo që mund të ketë nevojë.

Ana: Jam negativizuar, analiza tregoi se kam shumë antitrupa. Nëse mua më jepet mundësia, jam e gatshme të jap plazmën time.

Fjalët dhe historia e kësaj gruaje të panjohur për shumëkënd, mund të shërbejnë më shumë se cdo shifër e publikuar nga autoritetet, që secili të bëjë sa të mundet për të parandaluar infektimin me covid 19 dhe akoma më shumë për të mbrojtur të tjerët, prindërit dhe gjyshërit të cilet mund të përballen me një luftë shumë të vështire dhe shpesh here me fund të hidhur./Marrë nga News 24

Share With:
Translate »
748 Views