Historia e një familjeje që ngriu për vdekje në përpjekje për të jetuar ëndrrën amerikane
Në fshatin e vogël të Dingucha, në shtetin e Gujarat në Indinë perëndimore, fletushka të ngjitura në shtyllat e dritareve dhe ndërtesave u reklamojnë banorëve, shumica e të cilëve jetojnë në varfëri, një jetë më të mirë jashtë vendit.
Premtimi mund të duket shumë i mirë për të qenë i vërtetë, por ata që jetojnë atje thonë se shumë nga ëndrrat e tyre janë të ndërtuara rreth tij. Muajin e kaluar Jagdish Patel 39 vjeç, gruaja e tij Vaishaliben Patel 37 vjeç, dhe fëmijët e tyre, Vihangi 11 dhe Dharmik, 3, lanë shtëpinë e tyre dhe u nisën për në Kanada. Rreth një javë më vonë, trupat e tyre u gjetën 13 metra larg kufirit, ku ata kishin ngrirë për vdekje duke u përpjekur të kalonin në SHBA në këmbë.
Historia e tyre
Si shumë burra të tjerë në këtë zonë, Jagdish Patel punonte në një fabrikë. Ai bënte 9,000 rupi, afërsisht 120 dollarë, në muaj për familjen e tij prej katër anëtarësh. Gruaja e tij qëndronte në shtëpi me fëmijët, por fqinjët thonë se ajo ëndërronte të punonte në një sallon bukurie në SHBA.
Duke qenë se ata nuk kishin një shkollë apo kompani për të sponsorizuar hyrjen e tyre, udhëtimi nuk është aq i thjeshtë. Në Dingucha, ku një fqinj i Jagdish Patel u tha gazetarëve se ai fiton vetëm 134 dollarë në muaj për një familje me pesë persona, familjet peshojnë të mirat dhe të këqijat e arritjes në Perëndim me mjete të ndryshme.
“Ata janë zakonisht njerëz mbi 30 vjeç që nuk fitojnë mirë në Indi dhe nuk shohin një të ardhme të mirë për veten dhe familjet e tyre,” tha për NBC Asian America, Janvi Sonaiya, një reporter me botimin me bazë në Gujarat, Vibes of India. “Ata kanë takuar dhe parë disa njerëz si ata që janë kthyer në Indi pas një dekade e gjysmë dhe kanë folur për cilësinë e jetës dhe të ardhmen e ndritur që kanë fëmijët e tyre.”
Është një normë e njohur në fshat që duket se është e skalitur me bojë për ta parë çdo banor. Suksesi nuk vjen në Dingucha, tha Sonaiya. Ka më shumë gjasa të gjesh ata që e lënë atë.
“Kur ecni në rrugët e fshatit, nuk shihni reklama të ushqimeve apo produkteve ushqimore,” tha ajo. “Gjithçka që shihni janë reklama të vizave të SHBA-së dhe Kanadasë shumica prej tyre madje përmendin se vizat do të jepen pa provime.”
Familja dhe miqtë e Patels i thanë Sonaiya se Jagdish po luftonte. Ai donte një arsim më të mirë për fëmijët e tij, si dhe mundësi më të mira pune dhe paga më të larta për veten dhe gruan e tij, gjë të cilat ai mendonte se nuk mund ta gjente në Indi.
Jagdish dhe Vaishaliben nuk u thanë të gjithëve se ku po shkonin. Ganpatbhai Patel, i cili jetonte pranë tyre, tha se ai mësoi për udhëtimin e tyre në Kanada vetëm kur u publikua lajmi se ata kishin vdekur.
Megjithëse shumë detaje të udhëtimit të tyre janë ende të paqarta, Policia Mbretërore Kanadeze i tha NBC Neës se familja fluturoi në Toronto më 12 janar dhe më pas u nis për në Manitoba. Rreth një javë më vonë, ata shkuan në Emerson, një qytet kufitar në veri të Minesotës dhe Dakotës së Veriut. Trupat e tyre u gjetën më 19 janar pasi një stuhi i ndau me sa duket nga grupi, shtetas të tjerë indianë dhe një burrë nga Florida, Steve Shand. Të tjerët dolën përtej kufirit dhe u kapën nga zyrtarët e kufirit amerikan.
Shand u arrestua dhe u akuzua për transport ose tentativë transporti të emigrantëve të paligjshëm.
Kur u gjetën sende të kujdesit për fëmijët si pelena dhe lodra tek udhëtarët e mbetur, ata u zbuluan autoriteteve se katër persona që po udhëtonin me ta ishin të zhdukur. Disa nga emigrantët indianë u thanë gjithashtu autoriteteve se grupi kishte ecur për 11 orë.
Dërgimi i trupave në vendlindje për një funeral do të ishte shumë i shtrenjtë, thanë anëtarët e komunitetit Dingucha për NBC Neës, kështu që djegia e tyre u bë në Kanada.
Pavarësisht se si tragjedia ka tronditur fshatin, kjo mund të mos i pengojë njerëzit të përpiqen sërish.
“Çdo emigrant bën një llogaritje ekonomike rreth një udhëtimi shumë të rrezikshëm për të ardhur në SHBA,” tha Lakshmi Sridaran, drejtor ekzekutiv i Amerikanëve të Azisë Jugore Leading Together, një organizatë për të drejtat civile.