Historia e tre shokëve të vjetër të ushtrisë, vajza vjen për amanetin e babait

“Amanetin nuk e tret as dheu”. Këtë shprehje të vjetër Engjëllushja e njeh mirë dhe e mbart mbi supe peshën e saj që i kujton fjalët e fundit të babait. Ajo e nis rrëfimin në “Ka Një Mesazh” Për Ty me historinë e tre miqve të ngushtë ushtrie, një nga Tirana (babai i saj), njëri nga Korça (Mehmet Aliholli) dhe tjetri nga Berati (Thimi Nako).

Të tre u bënë si vëllezër dhe miqësia e tyre u zhvillua edhe tek familjet e fëmijët, deri në momentin që njëri prej tyre ndahet nga jeta. Rrethanat thjesht i larguan edhe fëmijët prej njëri-tjetrit e sot, Engjëllushja numëron në “E diela shqiptare” në Tv Klan plot 40 vite pa miqtë e fëmijërisë.

Engjëllushe: Miqësia vazhdoi deri xhaxhi Thimi ndërroi jetë. Ishte vajza e madhe, Klementina që erdhi në shkollë për Matematikë-Fizikë dhe vinte çdo fundjavë. Mbaron vitin e parë dhe ne sigurisht ishim akoma më të vogla dhe u habitëm sepse ajo ishte me të zeza dhe e pyeta unë babin, “xhaxhi Thimi ndërroi jetë” tha, “mos” thashë. Pastaj filloi të zbehej, domethënë nuk vinte më Klementina, e kishte më të vështirë ngaqë i ati nuk ishte më, a nuk e di.

Kurse me të Korçës shkonim më shumë. Qëkur ndërroi xhaxhi Thimi jetë, ai u afrua më shumë me babin. Dallgët e jetës na çuan sa me një krah në tjetrin, babi u sëmur me një sëmundje të keqe. Megjithatë nga fundi ai tha, “një amanet po ju lë, dua që miqësinë që kam pasur ta vazhdoni” dhe kjo ishte ajo që mua më ngeli në mendje e shpirt. Kanë pasur një shoqëri të sinqertë, që i buronte nga zemra, që na e trashëguan dhe neve. Megjithatë jam shumë vonë për këtë pjesë, që duhet të isha takuar dhe më përpara me atë, por kështu erdhën punët ose rrethanat. Kam 40 vjet që nuk i kam parë.

Share With:
Translate »
118 Views