Historia e trishtë e 2 fëmijëve “grabitës”: Nëna sajon bukën me krundet e qenit

Nga Anila Hoxha

Krundet…

Një oficer policie i cili u përfshi në një aksion për të zbuluar hajdutët e postës , të cilët rezultoi se ishin dy fëmije, me telefonoi gjatë javës. Po më shfaqte trishtimin e tij për gjendjen tmerrësisht të mjerë ku gjendeshin dy minorenët. Dhe me atë në distancë që më tregoi shtëpinë e hajduteve, rindërtova historinë e fëmijës mes pendesës, lutjes se shokët nuk duhet t’ia mësonin emrin mbasi do ta tallnin ne shkolle dhe trishtimit se atje ku punonte si lavazhier mbas mësimit, nuk po e merrnin ne pune.

Sot u ktheva ne shtëpinë e E, 15-vjeçarit për të cilin raportova gjatë javës se si ai u arrestua mbas një vjedhjeje, që e inicioi me bashkëmoshatarin e tij me shpresën se  kështu po prisnin një biletë për të shpëtuar nga mjerimi.

Të dy fëmijët veç varfërisë ju hapën akoma më shumë telashe prindërve. Të shkruash për fëmijë që shtyhen të vjedhin nga varfëria, dhe të shkruash për fëmijë që nuk kanë as bukë në shtëpi, janë dy gjëra të ndryshme. Të fundmet lekë që kishin mbledhur pikë mbas pike ua zhvati një avokat kryesisht, i cili u mburr se me aftësinë e tij sepse foli shumë në gjykatë, mundi të lirojë të dy fëmijët. Në të vërtetë ata shpëtuan nga burgu mbasi janë nën moshë.

Avokati që realisht i ka vjedhur duke i mashtruar, me siguri do mashtrojë kështu të mjerë të tjerë, për të cilët 500 mijë lekë të vjetra janë çdo gjë. Dhe e diela mbas lirisë nis kështu për këtë 15-vjeçar.

Shikon nënën që përzien krundet e qenit, ajo hedh  një grusht miell në tepsi dhe sajon bukën. Bukë që nuk kalohet poshtë – pëshpërit djali, nuk hahet. I verdhë, i paushqyer, ashtu si dhe shoku tjetër me banesë poshtë  urës së Kamzës ( ky i fundit me babain në Afrikë e nënën pa punë). Përpiqem ta ndjej shijen e një buke me krunde që duhet ta hante qeni, dhe dridhem.

Dridhem teksa shoh një grua të sëmurë që nuk ka para për ilaçe që të kurohet, një kryefamiljar që përfundoi në burg, madje atë e degdisën në Fushë-Krujë sa më larg të mundeshin sepse është i mjerë, s’ka para, s’ka mundësi të zgjedhë e paguaj një avokat personal. Mbasi u kthye nga puna si murator në banesë e priste policia që kontrolloi mos gjente paratë e vjedhura nga i biri dhe ndërkohë mes rraqesh të falura e të sajuara një pistoletë, që derisa të dalë gjendja e saj teknike ai do presë në burg.

Ky shkelës ligji para syve të drejtësisë e kujtdo puritan, ishte i vetmi që sillte të ardhura nga puna si murator. Dhe sakaq dibrani i pashpresë edukonte të bijtë “ rroni me nder”. Ajo bukë, që duhet të heqë vaktin me turshi është përditë e përditë në tavolinën e E.  Dhe dridhem sepse asaj buke të pangrënshme dua ti ngre një statujë që çdonjëri të kujtohet duke kaluar aty se ne kemi pushuar së qeni njerëz. Dua të shkruaj ngado nëpër mure, E. s’ka të hajë, po ha bukën e qenit ndaj dhe vodhi. Por kujtoj moralin dhe ligjin që janë të ftohtë dhe as që duan ta dinë se krundet nuk hahen dhe barku i një fëmije që po rritet s’të lë të flesh. Ja kështu njoha një tjetër fëmijë, të cilin dua ta shpëtoj që mos të kalojë në rrugën që ndonjëherë një shoqëri indiferente e destinon të bëhet kriminel.

Share With:
Translate »
185 Views