Historia frymëzuese e Bianca-s, balerina e parë plus size e “Disney”
‘Disney’ prezantoi për herë të parë një personazh me përmasa të tjera nga ato që jemi mësuar të shohim për gjithë këto vite. Një balerinë plus-size, e quajtur Bianca, përpiqet të gjejë besim dhe të menaxhojë dismorfinë e saj trupore.
Në historinë 85-vjeçare kompania e njohur e filmave, “Disney”, i ka përdorur personazhet plus size ndonjëherë vetëm në rolet e personazheve të shëmtuar ose edhe në ato sporadikë, ndaj fansat në këtë rast janë shprehur shumë entuziastë për këtë ndryshim.

Filmi i shkurtër, i titulluar ‘Reflect’, prezanton historinë e një balerine të re, e cila lufton me veten, duke kapërcyer dyshimin dhe frikën e duke kanalizuar forcën dhe fuqinë e saj të brendshme.
“Reflect” është publikuar si pjesë e serisë “Short Circuit” të Disney, që përfshin filma të ndryshëm eksperimentalë.
Bianca ndjek klasën e saj të baletit, së bashku me shokët e klasës (shumë të dobët) dhe një instruktor. Ndërsa ajo shikon në pasqyrë – dhe në trupin e saj – pasqyra plasaritet dhe sfondi zbehet. Shumë fansa po e interpretojnë këtë sekuencë për të treguar se Bianca përjeton dismorfinë trupore.

Siç dihet, dismorfia e trupit “është një gjendje e shëndetit mendor, në të cilën nuk mund të ndalosh së menduari për një ose më shumë defekte, ose defekte të perceptuara, në pamjen tënde – një e metë që duket e vogël ose nuk mund të shihet nga të tjerët”.
Gjendja që mendon vazhdimisht mund të të çojë në një fokus intensiv për pamjen, kontrollimin e shpeshtë të pasqyrës (kontroll i trupit) dhe kujdesin për shumë orë çdo ditë.
Ky lloj përfaqësimi kompleks dhe i sinqertë i presioneve të jetës reale që përjetohet nga shumë vajza e gra të reja është disi novator për “Disney”, sepse shpesh kompania i përshkruan personazhe me këtë formë trupore si negativë apo edhe si sporadikë, ndërsa princeshat dhe heroinat zakonisht janë jashtëzakonisht të dobëta (megjithëse kjo, sigurisht, ka filluar të ndryshojë me prezantimin e personazheve si Moana dhe vëllezërit e motrat “Encanto”, Luisa dhe Mirabel, të cilët kanë të gjithë forma trupore më realiste dhe të ndryshme.)

Historia e Biankës ka ndikuar te miliona fansa në mediat sociale, madje shumë njerëz prezantuan edhe në TikTok lidhjen e tyre me historinë.
“Duke u rritur kam qenë gjithmonë vajza më e madhe në klasat e mia të baletit. Do të jepja gjithçka për t’ia treguar këtë vetes disa vite më parë dhe do të thosha se ‘çdo gjë do të shkonte shumë mirë’” – shkruan njëra nga komentueset.