Historia përsëritet: Vogëlushi 5-vjeçar në Afganistan nxirret i pajetë nga pusi, tre ditë pasi ra aksidentalisht
Vetëm dy javë pas ngjarjes së rëndë të 5-vjeçarit Rayan Awram, në Marok, pasi mbeti i bllokuar në një pus, duket se historia është përsëritur sërish.
Një vogëlush në Afganistan është nxjerrë pa jetë nga pusi 25 metra i thellë, pas tre ditësh përpjekje për ta nxjerrë të gjallë. Një video rrëqethëse e publikuar mbrëmjen e djeshme bëri xhiron në media, pasi i mituri shfaqej duke qarë, teksa kërkonte ndihmë që ta shpëtonin nga aty.
Përmes një njoftimi zyrtar, qeveria talebane bëri me dije se fatkeqësisht pas shumë përpjekjeve, forcat e shpëtimit nuk arritën ta nxirrnin të gjallë fëmijën. “Me pikëllim të madh, i riu Haidar është ndarë nga ne përgjithmonë”, tha këshilltari i lartë i Ministrisë së Brendshme të Talibanëve, Anas Haqqani, në një postim në Twitter.

Fëmija, i quajtur, Haidar, rrëshqiti ditën e martë në fund të një pusi në Shokak, një fshat në provincën e Zabulit, rreth 400 kilometra në jug-perëndim të kryeqytetit Kabul. Ndonëse, forcat e shpëtimit u përpoqën natën e ditë për të shpëtuar të voglin, ata fatkeqësisht nuk ia arritën.