Historia që përloti botën: 10 ditë pas lindjes, e ëma autorizon fikjen e aparaturave që mbanin në jetë vogëlushin
Një nënë në Manchester ka qënë e detyruar të autorizojë fikjen e aparaturave që mbanin në jetë djalin e saj 10-ditësh. Kira Aldcroft, vetëm 22 vjeç, solli në jetë fëmijën e saj të parë nëntë ditë përpara datës së përcaktuar nga mjekët. Ajo tregon se shtatzënia shkoi mirë dhe se nuk kishte simptoma të herpesit gjenital përveç një infeksioni të lehtë, që sipas saj infermieret i kishin thënë se është efekt anësor i zakonshëm i shtatzënisë.
Mirëpo vetëm tetë ditë pas lindjes së Leos, ajo dërgoi vogëlushin me urgjencë në spital, pasi nga goja e tij rridhte vetëm gjak. Pas shumë analizave, mjekët zbuluan se Kira ishte e prekur nga virusi herpes dhe e kishte kaluar te djali i saj gjatë lindjes.
Mëlçia dhe veshkat e vogëlushit Leo, dobësoheshin dita ditës dhe mjekët njoftuan të ëmën se duhet të vendosej një aparat dializë për t’u mbajtur gjallë. Mirëpo disa ditë më pas, të gjitha organet e tij po dilnin nga funksioni. Pas kësaj, Kira mori vendimin pikëllues për të fikur aparatin që mbante foshnjen e saj në jetë.
“Mjekët më thanë se gjendja e tij është përkeqësuar. Ishte momenti që unë si nënë të merrja një vendim. Sapo vendosa për fikjen e aparaturave isha në gjendje që të qëndroja pranë tij. Vura kokën time në inkubator dhe mbaja dorën e tij kur erdhi koha që ai të ikte përgjithmonë”, tha Kira.
22-vjeçarja bën thirrje të gjitha nënave shtatzënë të vizitohen për këtë virus dhe të shmangin fatkeqësinë.