Hodhi foshnjën në lumë, flet drejtori i Maternitetit të Shkodrës: 32 vjeçarja refuzoi regjistrimin e atësisë, donte ta çonte në Shtëpinë e Fëmijës…
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Shkodër, ku 32 vjeçarja Orjana Gremi hodhi në lumin Kir foshnjen e saj të sapolindur. E reja ka thënë para autoriteteve se ishte e detyruar që ta bënte këtë akt të rëndë, pasi nuk kishte mundësi për ta mbajtur.
Ajo punonte në një fabrikë këpucësh në qytetin e Shkodrës. Foshnja e seksit mashkull erdhi në jetë më 30 Dhjetor dhe u regjistrua në maternitetin e Shkodrës pa atësi.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë ka folur edhe drejtori i Maternitetit të Shkodrës Senad Halluni. Ai u shpreh se e reja ka refuzuar regjistrimin e atësisë së foshnjës, ndërsa ka shtuar se fillimisht ka kërkuar dorëzimin e tij në shtëpinë e foshnjës, por më pas ka ndërruar mendje.
“32-vjeçarja ka ardhur për lindje me 30 dhjetor. Ka qenë lindja e parë. Janë kryer të gjitha proçedurat. Zonja ka refuzuar regjistrimin e atësisë së fëmijës. Ka pasur lindje normale me 30. Zonja ka kërkuar dorëzimin në shtëpinë e foshnjës.Kemi njoftuar drejtorinë e shtëpisë së foshnjës për proçedurat. Zonja ka punuar në një ndërmarrje këpucësh.
Me datë 4 kemi kryer proçedurat për tu transferuar në shtëpinë e foshnjës, ajo ka refuzuar më pas. Ka nënshkruar që merr përsipër marrjen e foshnjës.Ajo nuk ka shfaqur probleme të shëndetit mendor. 32-vjeçarja rezulton se është e vetme dhe banon në Golem”, ka deklaruar ai.