Homazhet për Moikom Zeqon! Fjalimi i të birit: ‘Ai meritonte shumë më tepër!’

Eruditi Moikom Zeqo u nda nga jeta më 15 qershor, por homazhet për jetën dhe krijimtarinë e tij u mbajtën sot sepse familja vendosi të priste ardhjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës së të birit, Epidamnit. Në Atriumin e Muzeut Historik Kombëtar – duke respektuar amanetin e fundit të Zeqos – Epidamni mbajti një fjalim prekës për të atin e ndjerë.

Ai u shpreh se i ati “nuk është një figurë standarde, edhe pse i thjesht dhe i kuptueshëm”. Ndër të tjera, Epidamni theksoi se “ai meritonte shumë më tepër”.

“Ah, sa shumë meritonte Moikomi kur ishte akoma gjalle! Sa dritëshkurtër politika! Mendoni se një komb mund të ndërtohet ose të mbahet i bashkuar pa idealizëm? Pa De Radën e Naimin dhe pa Migjeni e Moikomin? Pragmatizmi është zgjidhja e vetme, thoni ju? Kujdes! Mos harroni se duhet një gjeneratë për të unifikuar një komb, dhe dy gjenerata për ta zhdukur atë. Moikomi punoi vetëm për të mirën e madhe të kombit shqiptar dhe të njerëzimit dhe jo për interesat e tij personale apo edhe familjare.”

Në vijim, ai kujtoi kohën kur Moikomi vendosi të kthente familjen në Shqipëri, në një kohë kur të gjithë të tjerët po largoheshin.

“Pse Moikom nuk u bërë pragmatik si ne të tjerët? Pse e ktheve familjen në Shqipëri në vitin 1997 nga SH.B.A. kur të gjithë po largoheshin nga Shqipëria? Mendove se do të shpëtoje këtë vend? Sa ide naive, por e mrekullueshme dhe kuptimplotë në të njëjtën kohë. Sa shpresëdhënëse, por shpresëmarrëse. Po unë, Epidamn Zeqo? Ndoqa ëndrrat e mia vetëm për t’u zgjuar në një makth. Mora Green Kartën Amerikane – realizova ëndrrën e të gjithëve – por humba tim atë! Oh mërgim, si e ndave çdo familje shqiptare! Sa shumë dramë shkakton, sa shumë dhimbje dhe sa shumë pishmane.”

Fjalimi i plotë (via Balkanweb):

“Kjo nuk është një eulogji standarde. Im atë është një figurë unike, sui generis, pra aspak standarde (edhe pse i thjesht dhe i kuptueshëm). Sa më mungon o babi! Ku je tani babi? Si ike kështu në mënyrë të pakthyeshme? Po Pandorës të vogël çfarë t’i them unë tani, ku t’i them iku gjyshi që ajo e ka pikë të dobët dhe e ka shumë xhan? Tani e thërras gocën BABI; ke uri babi; të lexojmë librat e gjyshit babi vogël? Kam veshur sot të njëjtin kostum që kisha në dasmën time në vitin 2015.

Kur erdhe në Londër për dasmën dukej që ishe i sëmur – kishe leucemi kronike. Luftove për pesë vite si askush – sa krenar jam për ty o ba! Ti Moikom je këtu me ne përjetësisht! Ne të gjithë duhet t’ia përciellim gjeneratës së re këtë dritëuri për të shpëtuar Shqipërinë nga gjendja toksike në të cilën ndodhet. Moikomi veshi shumë kapele profesionale (edhe kapele republike) gjatë jetës së tij: nga notar – peshkatar – punëtor hekurudhor – shkrimtar – redaktor – mësues – arkeolog – arkeologu i parë nënujor shqiptar – Ministrër i Kulturës – deputet – piktor – Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar. Por karriera e tij profesionale, ndryshe nga ajo letrare dhe publicistike, ishte shumë e shkurtër në krahasim me karrieren e të tjerëve që i këndojë politikës ose e mbajnë gojën mbyllur.

Ai meritonte shumë më tepër! Ah, sa shumë meritonte Moikomi kur ishte akoma gjalle! Sa dritëshkurtër politika! Mendoni se një komb mund të ndërtohet ose të mbahet i bashkuar pa idealizëm? Pa De Radën e Naimin dhe pa Migjeni e Moikomin? Pragmatizmi është zgjidhja e vetme, thoni ju? Kujdes! Mos harroni se duhet një gjeneratë për të unifikuar një komb, dhe dy gjenerata për ta zhdukur atë. Moikomi punoi vetëm për të mirën e madhe të kombit shqiptar dhe të njerëzimit dhe jo për interesat e tij personale apo edhe familjare. Misioni i tij ishte të ndikonte tek njerëzit përmes dijes. Moikomi i mrekullueshëm gjithnjë ofronte një perspektivë unike në çdo debat për çdo temë: nga gjuhësia dhe arti deri tek ekonomia dhe gjeologjia. Eshtë e vërtetë që një komb mund të kuptohet si agregat i miliona njerëzve. Por një komb në fakt përkufizohet vetëm nga një grup i vogël individësh. Im atë është më i frytshmi midis tyre.

Pse Moikom nuk u bërë pragmatik si ne të tjerët? Pse e ktheve familjen në Shqipëri në vitin 1997 nga SH.B.A. kur të gjithë po largoheshin nga Shqipëria? Mendove se do të shpëtoje këtë vend? Sa ide naive, por e mrekullueshme dhe kuptimplotë në të njëjtën kohë. Sa shpresëdhënëse, por shpresëmarrëse. Po unë, Epidamn Zeqo? Ndoqa ëndrrat e mia vetëm për t’u zgjuar në një makth. Mora Green Kartën Amerikane – realizova ëndrrën e të gjithëve – por humba tim atë! Oh mërgim, si e ndave çdo familje shqiptare! Sa shumë dramë shkakton, sa shumë dhimbje dhe sa shumë pishmane.

Duhet të përqëndrohemi tek gjërat që kanë vërtet rëndësi si familja e shëndeti dhe natyra e dritëuria. A do të lexohet vepra e Moikomit nga brezi i ri? Familja ime dhe mbështetësit e shumtë të Moikomit do të sigurojmë që kjo të ndodhë. Të rinjtë dhe të vjetrit duhet të bëhen më të mirë në mënyrë që Shqipëria të shërohet. Duke lexuar Moikomin forcohet vetëdija kombëtare dhe njerëzore. Ku është tani Moikomi? Ku je babi im? Në parajsën e mbushur me re të bardha? Jo, Moikomi është duke punuar çdo ditë si përherë – Moikomi është Ministri i Përjetshëm i Kulturës Shqiptare, Europiane dhe Botërore. Ai është kujdestari fisnik i Bibliotekës Njerëzore. Amen.”

Share With:
Translate »
498 Views