Humbi nënën në moshën 13-vjeçare, gazetarja: Pësoi abort spontan, u shua për 10 sekonda
Aurora Sulçe, një gazetare e dashuruar me profesionin e saj dhe numrat, të cilët e kanë profilizuar si një gazetare ekonomie, ka tashmë një karrierë të plotësuar. Gjatë rrëfimit të saj në “Rudina” në Tv Klan, ajo zbulon detaje nga jeta e saj, arsimimi, karriera dhe përpjekjet e shumta për të patur një program të sajin në televizion dedikuar ekonomisë.
Në këtë tregim, gazetarja ceku edhe ndarjen nga jeta të nënës së saj kur ajo vetë sapo kishte hyrë në adoleshencë, në moshën 13-vjeçare. Duke u ndalur pak më tepër në këtë kujtim të trishtë, Sulçe rrëfen përjetimin e saj dhe trashëgiminë e mbetur nga e ëma, tre këshilla që i mbart me vete çdo ditë të jetës.
Aurora Sulçe: Padyshim që është një gjë shumë e rëndë, por unë kam patur fatin që pjesën tjetër të familjes ta kem shumë të përkushtuar. Im atë ka bërë sakrificën që më rriti mua dhe dy vëllezërit e mi pa u martuar kurrë dhe unë pata më pas një raport shumë të mirë me të, ai ka qenë shoku im më i mirë, edhe ai fatkeqësisht ka ndërruar jetë rreth 4 vite më parë. Falë edhe gjyshes sime, e cila gjithashtu fatkeqësisht ka ndërruar jetë, unë nuk e ndjeva shumë atë dhimbje. Por me time më, ajo ka qenë një grua në karrierë, ka qenë një grua shumë e bukur, ka qenë humaniste në sensin e dedikimit dhe përkushtimit ndaj pacientëve të vet dhe aty kam mësuar pjesën e mirësisë.
Nga aty e kam parë të materializuar mirësinë edhe përkushtimin e bluzave të bardha në situata… unë kuptoj 1996-1997. Ajo ndërroi diku në fundin e ’96-97, por që aty e kam parë se si një grua në karrierë përpiqej që të studionte. Ajo ka bërë disa trajnime me Kryqin e Kuq, zotëronte disa gjuhë të huaja, e kam parë se si mund të kesh edhe tre fëmijë, t’i përkushtohesh një karriere dhe të përpiqesh të jesh e mirë me njerëzit. Kam padyshim këshilla të saj, tre prej të cilave unë asnjëherë nuk i harroj edhe në përditshmërinë time dhe që i ruaj si një gjë shumë të bukur.
Rudina Magjistari: Do t’i ndaje dot me ne sot?
Aurora Sulçe: Ime më më thoshte gjithmonë që e para arsimohu gjithmonë. Gjëja më e rëndësishme për një grua është të jetë e arsimuar sepse nga këtu buron më pas pavarësia jote si individ dhe pavarësia financiare dhe kjo ka qenë këshilla e parë që më ka udhëhequr. Nuk kam hequr kurrë dorë nga librat. Arsimimin tim e kam pasur një gjë shumë të rëndësishme. Unë nuk kam bërë kurrë një diplomë ekonomie në kohën kur të gjithë mund ta bënin lehtësisht këtë gjë sepse nuk e doja këtë gjë, unë doja të bëja studime të mirëfillta dhe të kisha njohuri që do më shërbenin mua. Nuk kam dashur asnjëherë t’ia bëj vetes me hile në këtë drejtim për të pasur sa më shumë diploma dhe kjo gjë më ka shërbyer dhe këtë gjë e kam pasur prej saj që ti duhet të arsimohesh për të arritur pavarësinë tënde dhe këtë objektiv besoj që sot e kam arritur dhe është një këshillë të cilën e ndaj me shumë kënaqësi me gra dhe vajza të tjera të cilat jo vetëm i kam studente apo kolege, gazetare që i kam pasur të miat në vite, por edhe në trajnimet që bëj.
Këshilla e dytë ka qenë që vër gjithmonë të kuqin në buzë edhe kur blen bukë. Domethënë që njerëzit duhet të të shohin ty gjithmonë njësoj pavarësisht se ti mund të kesh probleme në jetën tënde, pavarësisht se ti mund të kesh halle, njerëzit duhet të të shohin ty gjithmonë të qeshur, gjithmonë të mirë, pra gjej një mënyrë për të mposhtur gjithçka që të bën keq apo një jetë të vështirë në jetën tënde.
Këshilla e tretë është që bëhu e mirë me njerëzit sepse kjo mirësi të vjen mbrapsht. Sado i vështirë të jetë një moment, sado cinik, sado i ngurtë sepse momente të vështira kemi të gjithë. Ka momente kur ti realisht beson se mund të bëhesh i keq për shkak të situatave që të vijnë, në atë moment mua më vjen gjithmonë parasysh këshilla e saj: hesht, beso dhe bëhu i mirë me të tjerët sepse kjo e mirë do të të kthehet ty mbrapsht.
Gazetarja shton se ndarja nga jeta e së ëmës ishte një ndodhi e papritur dhe e shpejtë.
Aurora Sulçe: E papritur, ajo ka gëzuar një shëndet shumë të mirë, ka pasur një abort spontan, më pas iu shoqërua me një hemorragji në bark dhe ka ndërruar jetë për 10 sekonda nga një trombozë në zemër, në duart e kolegeve të saj në spital.