“I ati donte të vdiste”, Silva Heijneman rrëfen si dëshmitare okulare vdekjen e Jonadës në Himarë
Ngjarjet e vështira apo tronditëse janë të vështira për t’u kaluar, por njerëzit duhet të gjejnë forcë dhe motiv për t’i tejkaluar. Për të folur për këtë temë ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan sipërmarrësja Silva Heijneman
Pasi rrëfeu kalvarin e vështirësive të jetës së saj, si divorci i saj apo sëmundjet e vështira me të cilat i është dashur të përballet herë te vetja e herë te të dashurit e saj, ajo ka thënë se nuk mund të ketë dhimbje më të tmerrshme se humbja e një fëmije.
Duke u ndalur këtu ajo ka treguar se një ngjarje që ka lënë shenjë në jetën e saj ka qenë ajo e Potamit, ngjarja e tmerrshme ku një 7-vjeçare u masakrua nga një skaf në det. Silva ka qenë fare pranë kur gjithçka ndodhi dhe tregon se ka parë “tmerr me sy”.
Silva Heijneman: Humbja e fëmijëve është e paimagjinueshme. Ngjarje që ka lënë gjurmë ka qenë vera që kalova me pushime në Himarë. Vajza, Jonada, shqiptarë që jetonin në Angli që humbi jetën nga skafi. Unë kam bërë qetësues pas ngjarjes.
Rudina Magjistari: Ti ke qenë aty?
Silva Heijneman: Kam qenë rreth 35 metra larg. Nuk do ishte çudi të më kishte goditur dhe mua pa hyrë në det në Himarë, në Potam, thamë ç’është ky i çmendur. Pamë një skaf që po bënte lojëra dhe ishte fare në kufi. Ka qenë fat i madh që njerëzit kanë qenë shumë pak në çadra e të tjerët kishin ikur të hanin drekë. Në det pothuajse s’kishte njeri. Ishte nëna e Jonadës, Mira, tezja, që sapo ishte bërë me fëmijë dhe burri i tezes. Unë kam siluetën e një burri që ka qenë i ati dhe ka qenë fëmija. Skafi ka ardhur një metër e gjysmë në vijë ujore. Goca është goditur, fëmija ka humbur në ujë. Ai ka manovruar, ka ecur mbrapsht, ndërkohë goditja në ujë e ka marrë fëmijën poshtë, ecja mbrapsht te helika, e ka masakruar. Babain e ka tërhequr e shoqja. Ata kanë edhe një fëmijë tjetër autik dhe kishte të tjera halle. Bukuroshja e vogël, një ditë kishte që kishte ardhur, por ra shumë në sy se ishte shumë e bukur, me kaçurrela dhe me sy bojqielli. Emrin ia kishin vënë Jonada, janë shqiptarë patriotë. Ishin njerëz që po ju them, të humbasë fëmijën dhe të mos humbasësh etikën, e të mos jesh agresiv….
Më tej Silva Heijneman tregon se sa e vështirë ishte për prindërit e 7-vjeçares për ta pranuar këtë humbje. Ata të dy nuk mund ta pranon ikjen e vajzës së tyre të vogël.
Silva Heijneman: Kjo hyn te ngjarjet makabër. Mbulojeni, ka thënë im shoq dhe mbante të atin që ka futur kokën në gurë, donte të vdiste. Nuk e pranonte. Duhet ta kuptosh një fëmijë 7 vjeç, ishte dita e parë e pushimeve. Ajo kishte numëruar ditët, donte patjetër të bënte plazh në detin Jon, nga kishte marrë emrin.