I mituri dhunohet nga elektriçisti i fshatit dhe tenton t’i japë fund jetës, nisin hetimet për 59-vjeçarin pas denoncimit në Fiks Fare0
Elektriçisti i fshatit Funare në Librazhd, Hysen Balliu është shoqëruar në komisariat dhe policia ka nisur hetimet ndaj tij pas denoncimit në emisionin investigativ Fiks Fare se ai ka dhunuar për tre vite një të mitur, i cili ka tentuar t’i jepte fund jetës.
Gjithashtu 13-vjeçari u mor në pyetje për rastin, në prani në psikologes, punonjëses sociale, avokatit dhe të familjarëve të tij.
Nga veprimet hetimore rezultoi sipas policisë se kjo ngjarje ka ndodhur rreth pesë vite më parë dhe është filmuar nga një person ende i paidentifikuar.
Policia e Librazhdit thotë se nuk ka pasur denoncim më parë për rastin e publikuar në Top Channel, ndërsa mbi 59- vjeçarin rëndon vepra penale “Keqtrajtimi i të miturit”.
Rast i rëndë u publikua një natë më parë në emisionin investigativ Fiks Fare, ku u shfaqën video tronditëse të dhunës që ushtrohej ndaj të miturit, ku përveç elektriçistit dhunues, dikush tjetër xhironte skenën.
Pas dhunimit nga elektriçisti nga klasa e V-të deri në klasën e VIII-të, ai u bullizua gjë që e çoi të ndërmerrte një akt të rëndë, atë të hedhjes nga kati i tretë i konviktit ku qëndronte. E gjithë historia u mbajt e fshehtë dhe asnjë institucion nuk mori asnjë masë.
Kjo ka qenë edhe arsyeja që i mituri ka braktisur shkollën dhe është bullizuar nga bashkëmoshatarët. Vetë fëmija në prezencën e të ëmës tregoi për gazetarët e Fiksit, se elektricisti e dhunonte, i zinte rrugën me motor dhe nuk e lejonte të shkonte në mësim.
Situata bëhet akoma më e rëndë kur e ëma e të miturit tregon se fëmijën për shkak të bullizimit dhe mos vajtjes në shkollë vendosi ta çonte në një shkollë në Librazhd dhe të qëndronte në një konvikt fetar, i cili ishte pa pagesë, por që aty u hodh nga kati i tretë i godinës. Dhe nga ai moment fëmijën e risolli në fshat, ku e riregjistroi në shkollën që kishte qenë , por që nuk e frekuenton.
Nga heshtja e institucioneve dhe mosveprimi i tyre edhe i mituri është dorëzuar duke u mbyllur në shtëpi.
Sipas policisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe të personit që ka filmuar videon e transmetuar mbrëmjen e djeshme, pasi sipas policisë, ai ka konsumuar veprën penale “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.
Reagimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan
Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, gjatë të cilit u shfaq një video me pamje ku një shtetas dhunonte fizikisht një shtetas të mitur, ju bëjmë me dije se:
Menjëherë pas marrjes dijeni për këtë rast, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nisën veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Në vijim të veprimeve, shtetasi H. B., që shfaqet në video duke dhunuar të miturin, u shoqërua në Komisariatin e Policisë Librazhd. Gjithashtu, shtetasi i mitur u mor në pyetje për rastin, në prani në psikologes, punonjëses sociale, avokatit dhe të familjarëve të tij.
Nga veprimet hetimore rezultoi se kjo ngjarje ka ndodhur rreth 5 vjet më parë dhe është filmuar nga një shtetas i paidentifikuar ende. Deri në momentin e transmetimit të videos, në emisionin investigativ, Policia nuk ka patur kallëzime apo informacione për këtë rast.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin H. B., 59 vjeç, banues në Librazhd, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që ka filmuar videon e transmetuar mbrëmjen e djeshme, pasi ka konsumuar veprën penale “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.
Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Elbasanit fton qytetarët dhe median, që të denoncojnë çdo paligjshmëri, duke iu garantuar reagim ligjor, të menjëhershëm dhe të paanshëm.