I paralizuar prej 10 vitesh, 19-vjeçari apelon shtetin për mjekim: Dua të eci, ti bëhem krah familjes
Prej 10 vitesh i paralizuar, një 19-vjeçar apelon qeverinë që ta ndihmojnë të kurohet. Shkëlqim Islamaj, i cili ka probleme me kockat, e kalon çdo ditë të jetës së tij në një karroce me shpresën se dikush do ta ndihmojë që të marrë mjekimin e duhur.
10 vite më parë Shkëlqim Islamaj mbeti i paralizuar për të mos ecur më.
Që prej asaj dite e deri më sot trupi i tij ka pësuar deformime të mëdha.
19-vjeçari thotë se ditën që nuk eci më ende e ka të memorizuar.
“Isha duke ecur rrugës dhe u ula në rrugë, nuk u ngrita më, më dhimbnin gjunjët.”
Ai ka një ëndërr si të gjithë moshatarët e tij dhe shpresat ende nuk i ka shuar.
“Ëndrra ime më e madhe është të eci si të tjerët. Kisha dëshirë të bëhesha futbollist dhe të shkoj në shkollë.”
Për të kujdeset nëna dhe pengu më i madh është familja.
Shpreson që nëse një ditë do të shërohet do të punojë për ta ndihmuar familjen.
“Të ngrihem në këmbë të ndihmoj familjen.”
Shpresat se djali i tij mund të shërohet si ka humbur as nëna e 19-vjeçarit.
Feride Islamaj thotë se i duhen para për ta çuar ta mjekojë jashtë vendit.
“Duke u rrit, duke u deformuar. Ka qenë më mirë. Shteti të më ndihmojë, ta shoh mirë djalin. I dërguam analizat e djalit në Francë, ata na thanë që duhet ti bëjmë ne.”
Kjo familje në Kodër të Kuqe në Babrru jetojnë vetëm më KEMP-in e djalit e ndihmën më të madhe e kanë pasur nga njerëzit.