Infeksionet urinare tek fëmijët
* Infeksionet urinare tek të porsalindurit (28 ditët e para)
Disa shenja, si mosmarrja si duhet e gjirit, zbehja, përgjumësia, të vjellat, diarreja, mosshtimi në peshë, shenjat e humbjes së lëngjeve -njollat e kuqe në pelena, ulja e temperaturës; duhet të ngjallin gjithmonë dyshime për një infeksion urinar; prandaj duhet kërkuar analiza e urinës dhe mbjellja e saj (urokultura).
* Infeksionet urinare tek fëmijët e vegjel (deri 2 vjeç)
Në këtë moshë, në plan të parë dalin çrregullimet e aparatit tretës si mungesë e theksuar oreksi, të përziera, vjellje, diarre, episode temperature me natyrë të paqartë, grindje, përplasje këmbësh gjatë urinimit, urinë me erë të rëndë, shenja indirekte për dhimbje barku etj. Ngritja e menjëhershme e temperaturës shpesh në këto mosha shoqërohet me konvulsione.
* Infeksionet urinare tek fëmijët e rritur
Mbas moshës 2 vjeç sëmundja fillon të marrë gradualisht shenjat tipike të të rriturve si urinim të shpeshtë, djegie gjatë urinimit, dhimbje në fund të barkut, rifillim i urinimit në gjumë etj. Në fëmijët e rritur, një dhimbje e fortë që i lë pa frymë vetëm për një çast, është shenjë e rëndësishme që ngjall dyshime për një infeksion të rrugëve të sipërme të urinës.