Infektimet shtohen çdo ditë, Brataj tregon se në cilin rast mund të rikthehet karantina
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj në një intervistë për News24 foli rreth situatës epidemiologjike në vend, ku duket se çdo ditë kemi një numër të shtuar rastesh.
Megjithatë, edhe pse dita e sotme ka shënuar sërish rekord infektimesh të reja (155 raste të konfirmuara) dhe kurba ka pësuar një rritje të ndjeshme gjatë ditëve të fundit, Brataj u shpreh se nuk do të rikthehet karantina.
Skenari më i keq që mund të çonte në një mbyllje të dytë do të ishte nëse sistemi shëndetësor do të pësonte kolaps, por sipas Bratajt s’ka për të ndodhur pasi janë në gatishmëri spitalet Covid, si dhe spitalet rajonale.
“Nuk diskutohet mbyllje dhe as karantinë. Ashpërsim masash mund të ketë në forma të ndryshme, siç po bën gjithë bota. Ajo varet edhe me sistemin shëndetësor, që nuk mund ta çojmë në kolaps. Për fat të mirë, 51% e të infektuarve janë shëruar. Janë spitalet Covid, pastaj janë spitalet rajonale, që do t’u përgjigjen nevojave të njerëzve,” –u shpreh ai.

Ndërkohë Brataj shtoi se nga shtatori, që do të dyfishohen testimet, pritet të ketë edhe rritje të rasteve të konfirmuara, megjithatë sipas tij, nuk priten shifra të larta.
“Do të rriten edhe testimet, që do të shkojnë deri në 1 mijë në ditë. Shtimi i testimeve bëhet për parandaluar më shpejt përhapjen e infeksionit. Nga shtimi i testeve do të rritet edhe numri i të infektuarve, por nuk presim shifra shumë të larta.”
Ndërsa dje Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se duke filluar nga shtatori do të sigurohet edhe vaksina e gripit falas për grupet e rrezikuara.