Infektoi burrin dhe fëmijët, mjekja e QSUT rrëfen betejën e frikshme me Covidin: Humba 6 kg

Mjekja hematologe, Alma Cili ishte e ftuar në emisionin “Kjo javë” në News 24, për të rrëfyer eksperiencën e saj të vështirë me Koronavirusin. Ajo ka treguar se është infektuar në punë dhe më pas ia ka kaluar dhe bashkëshortit dhe dy fëmijëve të vegjël.

Mjekja u ndal te momenti kur zbuloi se ishte infektuar. Ajo tha se kishte kollë dhe nuk mbushej dot me frymë. Menjëherë i kishte kërkuar të shoqit të largonte fëmijët.

“Të enjte, të premte ka qenë një dhimbje fyti. Në fundjavë i them bashkëshortit ‘të lutem nxirri fëmijët, largoi nga unë, se nuk rri dot me maskë gjithë ditën’. Aty fillova të dyshoj, që ndoshta është Covid, dicka që nuk e ndjeja veten në trupin tim. Unë jam shumë aktive, jam majë takave gjithë ditën, dhe ishte një lodhje për të bërë gjërat normale. Psh. më pihej uji dhe isha në divan, nuk çohesha dot dhe i thoja fëmijës, pra ishin ca gjëra që nuk shkonin.

Të hënën kam qenë shumë mirë, kam shkuar në punë me maskë. Isha pak si jo mirë, por asgjë e jashtëzakonshme. E kisha bërë serologjinë, doli negative. Ishte një kollë që mua më ka rrëzuar në korridor, që nuk ka ndodhur kurrë. E shoh që nuk mund ta vija më maskën, më merr bashkëshorti me djalin e madh, dhe i vogli sa mund të ndihmonte, se është vetëm 4 vjeç, dhe më shtrijnë në shtrat. Aty e shoh që ishte e pamundur të mbaja maskën, nuk mbushesha dot me frymë. Thashë kjo është korona, i thashë bashkëshortit ‘të lutem merr fëmijët’”, tregoi ajo.

Cili tha se vetë ka ende probleme, sidomos kur flet gjatë, pasi i duhet të ndalojë për të marrë frymë, ndërsa gjendja e të shoqit është e qetë, pavarësisht se në fillim ishte bërë më keq se mjekja. Përsa i përket fëmijëve, ato janë shumë mirë.

“Është kjo lodhja, nëse flas gjatë më duhet të ndaloj, të marr frymë thellë. Këtë nuk e kam pasur ndonjëherë më parë. Unë kam puls të fortë, para se të vija ishte te 127, në qetësi fare. Bashkëshorti është më i qetë, ndërsa fëmijët janë shumë mirë”, tregoi mjekja.

Cili u shpreh se si pasojë e Koronavirusit ka humbur 6 kilogramë, ndërsa bashkëshorti 10.

“Të gjithë ne si klinikë kemi rënë në peshë. Bashkëshortit tim i thashë të shkonte në spital, se kishte rënie të oksigjenit. U bë më keq se unë, ndoshta dhe se ishte pak mbi peshë. Unë humba 6 kilogram në ato 13 ditë, ai ka humbur 10 kg”, tha ajo.

Share With:
Translate »
955 Views