Inxhinierja Luljeta Bozo feston sot ditëlindjen! Nusja i bën dedikimin emocionues: Gjërat që mësova nga ty
Inxhinierja që qetësoi një popull të tërë kur toka lëkundej dhe dha ndihmën e saj për kujdesin ndaj ndërtimeve, feston sot ditëlindjen e 78-të dhe një urim i veçantë për Luljeta Bozon vjen nga nusja e djalit të saj Petri, regjisorja Alda Bida.
Ajo kujton rëndësinë që ka patur Luljeta në jetën e saj, por edhe në atë të brezave konstruktorësh e ndërtuesish, me të cilët inxhinierja ka ndarë dijen e saj.
Bida shkruan se inxhinierja e njohur është edhe një model frymëzimi për gratë dhe për të treguar fuqinë e tyre.
Postimi i plotë:
Gëzuar ditën e lindjes Luljeta Bozo (Konomi) ti grua e madhe që ke dhënë e jep kontribut në shkencën e mekanikës së dherave e që shumë të identifikojnë me tërmetin…. që ke kaluar në duart e tua breza e breza konstruktorësh e ndërtues… që modestisht buzëqesh kur ish-studentë të falenderojnë për atë çfarë u ke dhënë me zemërgjerësi, Dijen… kur bota akademike nga gjithë bota të vlerëson e fton të ndash në auditore universitetesh prestigjoze e konferenca botërore studimet e tua… Tokio…Paris…Tetovë… Gjermani… Barcelonë… Seul.
Ti pa bujë dhuron çfarë di. Ti që kaq bukur ke ndërtuar krah karrierës tënde, që ka kapërcyer kufijtë shqiptarë, një familje plot vlera, që je plot energji dhe vitalitet që më bën të besoj çdo ditë se mrekullitë kanë fytyrën e gruas. Unë mund të derdh në këtë status ngjarje të vogla që janë frymëzuese e që kanë domethënie të madhe, që lidhen me vullnetin, këmbënguljen, aventurat, sakrificat, dashurinë deri tek festat e tryezat e jashtëzakonshme që kanë shpirtin plot dashuri, të them se kam mësuar nga ty të mos nxitohem por të guxoj për të vërtetën, të mos mburrem por të punoj për të realizuar idetë e ëndrrat. Të luftoj e të mos dorëzohem, të jetoj e të dua çdo çast si diçka të veçantë.
Të paçim sa më gjatë…Të duam aq fort sa frymën tonë sepse ti je udhëheqësja e shpirtit të lire e pakompromise…ti unike zysh Luli…ti shpirtdhembshura nënë e gjysmës sime dhe gjyshja e fëmijëve të mi…ti nëna ime e dyte që më gëzon sa hërë që të përqafoj…e me frymëzon sa herë bisedojmë.
