Itali/ Vrau Klodiana Vefën, vetëvritet ish-bashkëshorti
Ish-bashkëshorti i 35-vjeçares, Alfred Vefa, është i gjetur i vdekur. Sipas medieve italiane, ai ka vrarë veten me armën e përdorur për të vrarë edhe ish-gruan e tij, Klodiana Vefën.
Nëna e dy fëmijëve u qëllua me armë nga ish-bashkëshorti i saj me të cilin kishte kohë që nuk jetonin bashkë, pak metra larg shtëpisë së saj.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Galvani” në Kastelfiorentino (Firence) teksa 35-vjeçarja po kthehej nga puna në shtëpi. Klodiana ishte e punësuar në një kompani këpucësh dhe kamariere në një piceri në fundjavë.
Alfredi ishte në kërkim që prej mbrëmjes së së enjtes. Pas ngjarjes, ai u largua menjëherë me një Golf gri metalik për të mbuluar gjurmët ndërsa eshtë gjetur i pajetë në një zonë të izoluar në San Casciano Val di Pesa.
Çifti me dy fëmijë, një djalë 17-vjeçar dhe një vajzë 14 vjeçe ishin të divorcuar, por mesa duket, bashkëshorti i saj nuk e ka pranuar këtë fakt duke e çuar drejt kësaj drame.
Kryetari i bashkisë Castelfiorentino, Alessio Falorni, ka shpallur dy ditë zie qytetare për atë që është feminicidi i 81-të i këtij viti në Itali. Ndërsa në Bashki u zhvillua një kortezh në kujtim të Klodianës.
