Ja fjalët që nuk i duhen thënë kurrë një fëmije!

Ne gjithmonë duhet t’i tregojmë fëmijës dashuri, pavarësisht se çfarë veprimi bën dhe sa i gabuar është.

Kështu vlerëson Pranvera Dhima, themeluese e qendrës këshilluese për fëmijë dhe prindër, ACT, me seli në Tiranë.

Ajo, vetë nënë e dy fëmijëve, beson se shoqëria shqipfolëse edhe pse ka shumë dashuri për fëmijët, në përgjithësi është e ashpër ndaj tyre.

“Në shumë raste, gjejmë forma edhe të abuzimit emocional, ndëshkimit fizik ndaj fëmijëve, edhe pse qëllimet dhe dëshirat e prindërve nuk janë për t’i lënduar fëmijët, por për shkak se janë të painformuar dhe nuk marrin kohën e tyre për t’u edukuar si të mirërrisin fëmijë të shëndetshëm, atëherë patjetër që shndërrohen në prindër imponues”, thotë Dhima në episodin e ri të podkastit, Të flasim.

Ajo përmend disa shembuj të prindërimit të ashpër:

“Në qoftë se një prind përdor ndëshkimin fizik për të formësuar sjelljen e fëmijës, nëse ata prindër marrin vendime pa i marrë në konsideratë dëshirat e fëmijës, ai konsiderohet prindërim i ashpër. Në qoftë se ata në përditshmërinë e tyre përdorin shprehjen ‘sepse thashë unë kështu’, ‘sepse unë urdhëroj’, ‘sepse unë jam prindi’ dhe nuk kanë arsyetime ndaj fëmijës, dhe nëse nuk i jep fëmijës mundësinë për të zgjedhur, edhe kjo konsiderohet formë e ashpër prindërimi”.

Ajo shpjegon se simptomat e para që fëmijët i manifestojnë nga format agresive të prindërimit, dalin në pah në adoleshencë.

Ndër format më të shpeshta, sipas saj, janë: vetëbesimi i ulët, krizat e identitetit, paaftësia për t’i shprehur emocionet, mund të shfaqin tentativa për vetëvrasje, përjetojnë ankth social, kanë vështirësi për t’u përqëndruar edhe për të mësuar”.

“Katër llojet e prindërimit”

Psikoterapeuti Besnik Peci, thotë po ashtu se shoqëria shqipfolëse është më e ashpër me fëmijët, por si arsye kyçe përmend pasojat e luftës së fundit në Kosovë më 1999, por edhe luftën botërore me pandeminë e koronavirusit.

“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, edhe në shoqëritë me më pak probleme, 20 për qind e saj përballet me probleme psikologjike. Jemi shoqëri agresive, ndonëse nuk është faji jonë, por është shkak i situatave, me të cilat janë ballafaquar njerëzit”, shpjegon Besnik Peci.

Ai përmend katër lloje kryesore të stileve të prindërimit. Autoritar, autoritativ, lejues dhe neglizhues.

“Prindërit autoritarë vendosin rregulla, kanë pritshmëri të lartë prej fëmijëve të tyre, nuk ua japin hapësirën e duhur për zhvillim. Ky stil, potencialisht, akumulon energji negative te fëmijët, dhe në rastin e parë kur ata rriten dhe janë të pavarur, ata dalin prej këtij kafazi dhe tentojnë t’i thyejnë këto rregulla. Stili autoritativ i karakterizon ata prindër, të cilët i pajisin fëmijët me udhëzime, me kufij, u japin pak më shumë liri dhe i lejojnë fëmijët që të mësojnë nga gabimet e tyre”.

Peci i quan prindërit e stilit autoritativ si prindër të guximshëm, “sepse i bëjnë fëmijët që të kuptojnë realitetin dhe, potencialisht, shkathtësitë e këtyre fëmijëve zhvillohen më shpejt”.

“Pastaj e kemi stilin lejues të prindërimit, prindërit kanë thuajse aspak limite për fëmijët e tyre, i trajtojnë fëmijët e tyre si shok/shoqe, kanë raporte dinamike me ta, janë shumë reagues ndaj kërkesave të fëmijëve dhe u dorëzohen kërkesave të fëmijëve. Përmes lirisë së plotë, këta prindër investojnë në fëmijë dhe më pas fëmijët kanë më pak tendenca të jenë agresivë”.

Sipas tij, stili më kritik është ai neglizhues.

“Të gjithë shkencëtarët mendojnë që ky stil i prindërimit mund të jetë jashtëzakonisht i dëmshëm për fëmijët, sepse prindërit i neglizhojnë fëmijët e tyre, dhe më pas fëmijët rrezikojnë qysh në fëmijëri, sepse ndihen të neglizhuar, nuk janë të plotësuar emocionalisht dhe si rrjedhojë kanë tendenca të jenë më agresivë”.

Nuk mund t’i thuash një fëmije “ti je i keq”

Pranvera Dhima thotë se në përditshmëri, shumica e prindërve u thonë fëmijëve fjalë që nuk duhet thënë kurrë.

“Nuk mund t’i thuash një fëmije ‘ti je i keq’, ‘ti më acaron, më ngre nervat shumë’, ‘nuk të dua’, ‘nuk je i mirë’, ‘djemtë e mirë nuk qajnë, vajzat e mira nuk flasin’, forma të ndryshme të etiketimit, forma të ndryshme të të qenit i pamjaftueshëm. Ndër gjërat kryesore që duhet të mësojmë ne prindërit është që të ndajmë fëmijët nga sjellja. Këto gjëra lënë trauma te fëmijët dhe krijojnë një konflikt të brendshëm, sepse fëmijët, sidomos kur janë të vegjël, janë të paaftë të mendojnë që prindi mund ta ketë gabim”.

Po gjërat që i duhen thënë shpesh një fëmije?

Ajo ndalet në atë që e konsideron “lavdërim efektiv”.

“’Të lumtë’, ‘bravo’, ‘sa punëtor që je’, ‘sa i përqendruar që je’, ‘të lumtë për guximin’, ‘bravo për arsyetimin që më dhe’. Ne nuk po themi që t’i thuash fëmijës ‘je më i miri në botë’, sepse kjo është gjithashtu gabim, se ai nuk është më i miri në botë, apo ‘je më i zgjuari në botë’, edhe kjo është gabim, sepse shumë shpejt do ta kuptojë që nuk është më i zgjuari në botë dhe ai do të zhgënjehet, edhe me veten, edhe me prindin”.

Psikoteraputi Peci këshillon prindërit që komunikimin ta kenë instrumentin kryesor.

“Përmes komunikimit të mirëfilltë, ata edhe mund t’i korrigjojnë dhe këshillojnë fëmijët e tyre. Kjo duhet të jetë forma e vetme se si ne komunikojmë me fëmijët tanë dhe i qortojmë ata. Asnjë lloj forme e dhunës nuk tolerohet, pa marrë parasysh karakterin dhe natyrën e fëmijës”.

Ndërsa, të rinjtë, që veçse mund të jenë përballur me forma të ashpra prindërimi, i këshillon të marrin ndihmë.

“I inkurajoj që të marrin ndihmë profesionale që t’i përpunojnë traumat, që potencialisht mund t’i kenë marrë nga dhuna që e kanë përjetuar, dhe të mos lejojmë që ato të jenë pjesë e jetës sonë”.

Si mund të arrihet deri të vetëdijesimi për këto fenomene?

Të dy bashkëbiseduesit, si Pranvera, ashtu edhe Besniku, besojnë se prindërimi po evuluon për të mirë në shoqërinë shqipfolëse, ndonëse pasojat nga një formë e ashpër e rritjes së fëmijës, ende konsiderohen tabu.

Terapeuti Peci përmend tri elemente që mund të ndihmojnë në vetëdijësim të shoqërisë:

“Thjesht, mos lexoni kronikë të zezë, mos lexoni lajme negative, mos rrini me njerëz toksikë. E dyta është përfshirja e psikologëve në shkolla, është një tjetër instrument që duhet ta përdorin institucionet gjegjëse, në mënyrë që t’ua ofrojnë fëmijëve kujdesin psikologjikë në të gjitha rastet kur ata nuk e marrin në familje. Pastaj shkojmë te familja. Ne jemi dëshmitarë që shumica e familjeve më shumë qëndrojnë në telefona, sesa që ndajnë kohë me njëri-tjetrin. Thirrja ime është që t’i kthehemi njëri-tjetrit më shumë, dashurinë të mos e shohim si diçka që mund të transferohet në mënyrë fizike, sepse nuk është ashtu. Është një proces në të cilin duhet të investojmë çdo ditë, duke e dëgjuar tjetrin, duke e kuptuar tjetrin, duke ndarë kohë për tjetrin”.

Share With:
Translate »
110 Views