“Je dhe nënë ti!” (nga Aulona Musta)
Ekziston ende një mendësi e vjetër, diskriminuese dhe tejet qesharake, se një vajzë/grua, pasi bëhet nënë duhet të ndryshojë me 180 gradë jetën e saj. Kur them ndryshim, nuk e kam fjalën për gjëra të vogla, të cilat duhet t’i pranojmë, ndodhin automatikisht dhe në mënyrë të pashmangshme, por për gjëra që prekin thuajse çdo sferë të jetës dhe të vetes, duke filluar nga pamja fizike, tek imazhi për veten e deri tek sjellja me të tjerët. Ndryshime të cilat më shumë se sa të kërkuara e të dëshiruara janë të imponuara, të imponuara nga një shoqëri që sado të mos duam ta pranojmë, vazhdon të jetë patriarkale dhe rolin kryesor të gruas sheh mëmësinë.
Në momentin që bëhesh nënë ti e përmbushe misionin sublim. Tani mos jeto më e dashur grua! Tani mund të ndalosh së dashuri veten dhe së investuari tek vetja, sepse misioni yt është një dhe i vetëm: të duash dhe të investohesh vetëm për fëmijën tënd!
Dakord, i ndjeva që tani shikimet dyshuese dhe mendimet negative të disave prej jush që kanë nisur të lexojnë këtë shkrim, e me siguri po mendoni që fjalitë që shkruajta më sipër janë shumë egoiste.
“Si mund të mendosh të duash veten dhe të investosh tek vetja, kur bëhesh nënë?” “Çfarë janë këto broçkulla që thua? Je dhe nënë vetë ti!”
“Je dhe nënë ti”, ah kjo fjali që më shkakton dhimbje koke sa herë që e lexoj dhe dëgjoj. Për fat të keq e lexoj dhe e dëgjoj shpesh. E lexoj dhe dëgjoj ngado! E dëgjoj nga ajo shitësja që i tha një mikeshës sime që është shtatzënë, se tani duhet të shikonte në një tjetër sektor, tek veshjet disi më serioze dhe jo aq seksi sepse “Do bëhesh nënë”.
E dëgjoj në televizion, në një emision pasditeje ku e ftuara tregon me krenari se si që kur kishte sjellë në jetën fëmijën e saj e kishte lënë veten totalisht pas dore, nuk shkonte më tek parukieri, kishte dy vjet që nuk blinte më asgjë të re për vete dhe ishte e lumtur me “dhjamin” e saj, sepse ishte shenjë e dedikimit dhe e përkushtimit ndaj të birit. “Epo, jam një nënë tani” – ishte fjalia që përsëriste shpesh, gjithë krenari, gjatë atij rrëfimi. Heroinë! Kështu e kishin cilësuar pjesa më e madhe e komenteve në Youtube.
E lexoj në internet, në rrjetet sociale, sa herë që ndeshem me foton seksi të një gruaje/nëne. Sa herë që një grua/nënë poston një foto me rrobabanjoje, sa herë një grua/nënë poston një foto duke u argëtuar dhe kërcyer “si e çmendur” me shoqet në klub. Sa herë një grua/nënë tregon vetëbesim, dashuri për veten dhe trupin e saj, diku do të jetë patjetër një koment që i kujton se është nënë dhe po bën turp të madh që po vendos të tregojë më shumë gruan sesa nënën, në atë postim.
Sepse një grua pasi bëhet nënë nuk ka më jetë! Ajo nuk mund të ketë më veshje seksi në garderobën e saj, sepse statusi i ri nuk ja lejon. Një nënë duhet të vishet serioze dhe nëse tregon pak më shumë mish seç duhet, është një imazh i keq për të gjitha nënat kudo që janë, e mbi të gjitha për fëmijën e saj. (“Çfarë do të thotë yt bir/jot bijë kur të rritet dhe të shohë këtë foto?” Komenti më i zakonshëm i një shoqërie që është rritur e edukuar me konceptin e llogaridhënies edhe kur shkon të blejë bukë, që nga mami, babi e deri tek çuni i xhajës, dajës, e komshia. Po temë tjetër kjo, do shkruaj për të një herë tjetër).
Një nënë nuk mund t’i lejojë vetes të shkojë tek parukieri, të bëjë shopping, të shkojë në palestër, të dalë me shoqet, të qeshë me të madhe në lokal, të shajë ndonjëherë me fjalë të pista, të dehet, të bëjë çmendurira dhe karagjozllëqe sepse është nënë. Paçka se kjo nënë mund të jetë e jashtëzakonshme me fëmijën e saj. Paçka se ajo mund t’i dhurojë gjithë dashurinë, ngrohtësinë dhe përkushtimin e nevojshëm. Paçka se ajo kujdeset të ndërtojë një ambient sa më të ngrohtë e të shëndetshëm për fëmijën e saj. Nëse ai fustani që ka veshur është pak më shumë i ngushtë seç duhet, apo ajo dekolteja pak me e hapur, epo le të themi që mëmësia e saj vihet shumë në diskutim.
Kjo sepse mazhi i nënës së vërtetë, i asaj nënës heorinë, për shumicën e mendjeve të ngushta e gjykimeve sipërfaqësore vazhdon të mbetet ai i një gruaje pak mbipeshë, veshur shkel e shko, që e ka mohuar tërësisht veten dhe gjëmon fëmijën me banane ose vezë në dorë për t’i dhënë për të ngrënë dhe që ngjall keqardhje e mëshirë tek gjysma e njerëzve, ndërkohë që gjysma tjetër identifikohen me të. Pak rëndësi ka nëse kjo nënë heroinë që ka hequr dorë nga “puna” dhe “karriera” për t’ju dedikuar fëmijës, 8-orarshin e punës në fakt e kalon duke parë telenovela në shtëpi. Pak rëndësi ka që kjo është ajo nëna që patatinat dhe moltot i ka bërë pjesë të pandashme të jetës së fëmijës së saj. Pak rëndësi ka që e shan e mallkon nga mëngjesi në darkë. E veshur në petkun e gruas serioze, me fund të gjatë e golf, ajo është imazhi ideal i nënës heroinë që sakrifikoi veten për fëmijën.
Mbase me të vërtetë, për shumë nga ju ky është modeli ideal i nënës, por për mua jo. Unë kurrë nuk do të pajtohem e kurrë nuk do të jem dakord me këtë imazh, sepse për mua një grua që harron veten, shumë shpejt do të harrojë edhe të jetë një nënë e mirë! /Blitz.al/