Jep mësim të gjuhës shqipe në Finlandë prej 11 vitesh: Kam qenë me fat, ishte situatë e vështirë
Në udhëtimin e radhës të programit “Check In” në Tv Klan, destinacioni ishte kryeqyteti finlandez, Helsinki. Një vend ku ndërthuret historia me teknologjinë, klasikja me modernen dhe ku sërish, gjenden një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, sidomos nga Kosova, një komunitet prej 11 mijë personash.
Një prej tyre është edhe Vida Preni Lika, një mësuese e gjuhës shqipe që rastisi gjatë vizitës së gazetares Albana Nanaj në bibliotekën “Odi”. Prej 11 vitesh, Vida ushtron profesionin e saj në kryeqytetin finlandez.
Vida Preni Lika: Ka 12 vite që jetoj në Finlandë dhe që jam mësuese 11 vite, mësuese e gjuhës shqipe. Kam qenë me fat të arrij në Finlandë. Ishte një situatë e vështirë, por gjithsesi këmbëngulja arrin aty ku duhet. Finlanda u jep mundësinë çdo komuniteti të huaj që të mësojë gjuhën amtare këtu. Konkretisht, ne shqiptarët kemi të drejtën gjithashtu. Mësuesit që japin mësimet e gjuhës amtare janë të punësuar nga Finlanda.
Albana Nanaj: Sa fëmijëve shqiptarë iu jepni mësim?
Vida Preni Lika: Është shumë e vështirë në qoftë se do më pyesësh për 11 vitet e kaluara, ndoshta është rreth 500-600 nxënës. Vetëm këtë vit mund të them që në regjistrin tim ekzistojnë rreth 200 nxënës.
Desha t’ju them në qoftë se është e mundur rinia dhe të gjithë gjenerata të kontribuojnë më tepër për arsmimin. Duke qenë i ditur arrin gjithçka.
Albana Nanaj: Për të gjithë shqiptarët që jetojnë në emigracion, mësojini shqip fëmijëve, mos ta harrojnë kurrë gjuhën e nënës.