Jetojnë në kushte të mjerueshme dhe varfëri ekstreme, familja e sëmurë merr lajmin e madh në studio
Programi “Dua të të bëj të lumtur” trajtoi mbrëmjen e sotme një ndër historitë më të dhimbshme, një histori ku varfëria dhe skamja ishin ulur këmbëkryq në një nga familjet e fshatit Gur i zi në Shkodër.
Historia që u trajtua ishte historia e familjes së Resmiut dhe Fiqiretit, baba e bir të cilët jeta i kishte vënë përballë shumë vështirësive.
Historia e familjes nga fshati Gur i zi kishte nisur mbi 50 vite më parë kur Resmiu ishte diagnostikuar që i vogël me sëmundjen e epilepsisë. Pavarësisht kësaj familja e tij kishte zgjedhur që ta martonte me një grua e cila nga ana tjetër vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Nga kjo martesë, ata kishin sjellë në jetë 4 fëmijë, 2 prej të cilëve fatkeqësisht kishin ndërruar jetë që në fëmijëri, ndërsa dy fëmijët e tjerë janë gjithashtu të sëmurë me epilepsi. Familja e Resmiut jeton në një varfëri ekstreme dhe në kushte tepër të mjerueshme, pasi nuk kanë asnjë të ardhur ekonomike dhe shtëpia ku qëndrojnë është plotësisht e rrënuar,
Në studion e programit “Dua të të bëj të lumtur” kishte ardhur motra e Resmiut, Fatmira e cila ndau me ne historinë e trishtë të vëllait dhe nipit të saj. Ajo kishte zgjedhur programin për t’i shprehur Resmiut dhe Fiqiretit mbështetjen e saj të vazhdueshme, dashurinë, por dhe gjithashtu për t’i bërë ata sado pak të lumtur.
“Fiqiret dhe Resmi unë do jem gjithmonë pranë jush dhe do t’ju ndihmoj për çdo nevoje që do të keni!”, ishte mesazhi i Fatmirës për nipin dhe vëllanë e saj.
Nga ana tjetër e studios, Resmiu dhe Fiqireti rrëfyen se për ta është tepër e vështirë që të sigurojnë të ardhura, pasi askush nuk u ofron punë për shkak të sëmundjeve të tyre. Gjithashtu ata treguan se gjatë gjithë kësaj kohe në ndihmë u kishin ardhur banorët e fshatit, por u shprehën se nuk mund të jetohet me ato kushte.
Në fund, programi “Dua të të bëj të lumtur” nëpërmjet një lidhjeje direkte me drejtorin e Fondacionit “Golden Eagle”, zotin Shaqir Palushi, i mundësuan familjes së Resmiut ndërtimin e një shtëpie të re. “Historia që ndoqëm është një histori dhimbjeje, një histori lufte për të mundur varfërinë. Shtëpia ku ata jetojnë është një shtëpi e cila mund të shembet dita- ditës, prandaj ne nuk mund të qëndrojmë indiferent, prandaj fondacioni ‘Golden Eagle’ ka vendosur t’ju dhurojë juve ndërtimin e shtëpisë nga e para!”, ishte mesazhi i veçantë që zoti Shaqir Palushi dha nga larg.