Ju njohim me motrën e madhe të Inis dhe Ingrit Gjonit, mamanë e Ana Likës
Takimi ynë nisi me një paragjykim: unë për të, pasi do intervistoja motrën e madhe të Inisit dhe Ingritit dhe kisha krijuar përshtypjen që do të ishte një zonjë shumë e kuruar e moderne dhe paksa mendjemadhe…dhe ajo për mua, “gazetarja që pavarësisht asaj çfarë mund t’i them, do shkruaj atë që asaj i intereson, me tituj bombastik, që ndonjëherë nuk kanë lidhje me tekstin, me atë që shkrimi ka brenda”.
Sapo u takuam e kuptova që e kisha pasur gabim. Ilda ishte shumë e thjeshtë, miqësore, e qeshur dhe po aq e bukur sa dy motrat e saj të vogla (këtu më erdhi ndërmend Ana e cila thotë shpesh me shaka se kur del me mamin, djemtë ngacmojmë më shumë atë). Sa për paragjykimin e saj, jam në provë deri në fund të kësaj interviste.
Është bërë nënë në moshë shumë të re, 18 vjeç ka sjellë në jetë vajzën e parë, Anën, që të gjithë e njohim, 23 vjeç u bë nënë për herë të dytë me Vikin dhe disa vite më vonë familja u shtua me një djalë. Për të, familja vjen e para, për këtë arsye braktisi karrierën në TV, për të qenë gjithnjë pranë fëmijëve, bashkëshortit, motrave, një zgjedhje për të cilën e thekson se nuk pendohet në asnjë moment. Nëse do t’i jepej mundësia për t’u kthyer pas në kohë, ajo do ta ribënte sërish.

Që e vogël ka pasur këtë rol në familje. Duke u kthyer pak në fëmijërinë e motrave Gjoni, Ilda na tregon se për Ingritin dhe Inisin, ka qenë më tepër se një motër, si një mama që kujdesej për to, e i duket shpesh se historia po i përsëritet me mbesën dhe nipin, Coco-n dhe Paridin. Ajo “ka gisht” në suksesin e dy motrave më të vogla, ndonëse gjithnjë është në prapaskenë. Kur Inisi qëndronte me orë të zgjatura për të punuar shfaqjen e radhës, e “flinte mendjen” se Coco ishte në duart e sigurta, Ingriti nuk duhej të shqetësohej aspak kur ishte në një koncert nëse ka ngrënë apo jo Paridi, pasi pranë kishte teze Ildën. E njëjta gjë edhe me Anën, nëse asaj i griseshin getat e baletit, mami Ilda nxitonte që të shkonte menjëherë në shkollë, për t’i dhënë getat e reja. Kurresi vajza e saj nuk duhej të ndihej inferiore ndaj shokëve dhe shoqeve të klasës.


Ndonjëherë gjatë bisedës, për një moment e harroja se kë po intervistoja, mos ndoshta një mësuese gjuhë-letërsie, pasi ishte e dashuruar me librat dhe këtë e tregonte në çdo moment, nuk ishte shumë e vështirë për ta kuptuar gjatë bisedës se sa shumë libra kishte lexuar , por ndonjëherë më dukej si një psikologe. Dinte shumë për psikologjinë e njerëzve, kryesisht fëmijëve, si duhej të silleshe me ta, si të komunikoje, jo më kot ka një marrëdhënie aq të mirë me fëmijët e saj…pastaj e kuptoja që përpara kisha Ildën, artisten. Shumë pak e dinë, që motra e madhe Inisit dhe Ingritit merret me art, me artin e punëve të dorës. Prej mëse dy vitesh, talentin e saj, Ilda e ka kthyer në një biznes, biznes në të cilin fiton para, ndoshta jo aq sa të mbajë familjen, por për të është mjaftueshëm. I nevojitet vetëm një karton me ngjyrë, një palë gërshërë dhe një pistoletë silikoni dhe brenda një kohe të shkurtër, ajo bën me to lule kartoni, vazo me lule, backdrop-e të mëdha, ftesa të personalizuara, të cilat aktualisht janë një trend botëror, por që tek ne nuk është ende shumë i përhapur.
E ka nisur gjithçka shumë rastësisht, ku një shishe shampanje që kishte mbaruar e kishte shndërruar në një vazo shumë të bukur lulesh… të njëjtën gjë kishte bërë dhe mami i saj shumë kohë më parë. Ishte e bindur që këtë talent e kishte trashëguar nga ajo dhe shumë e lumtur nga ana tjetër që e kishte zbuluar, ndonëse pak vonë, por siç thotë një shprehje e urtë “më mirë vonë se kurrë”, aftësinë e saj për t’i dhënë vlerë disa objekteve që ndoshta u kishte ardhur koha për t’u hedhur në kosh. Në pamje të parë mund t’i nënvlerësoni e të thoni, “çfarë janë ato, fundja thjesht lule kartoni”. Ilda do t’ju mirëkuptonte, pasi të njëjtën gjë ka bërë edhe ajo në fillim, kur shkoi të pyeste në një dyqan, pasi mbesa e saj kishte 5-vjetorin. Ishin shumë të shtrenjta, prandaj mori përsipër që ditëlindjen e Coco-s ta bënte ajo vetë. Në fillim lulet nuk ishin dhe aq të bukura, të paktën kështu i vlerëson Ilda, të para tashmë nga syri i një profesionisteje, iu desh shumë kohë për një lule dhe pothuajse dy muaj për background-in e madh për ditëlindjen Cocos, vajzës së Inisit.


Ju njohim si motra e madhe e Inisit dhe Ingritit, së fundmi dhe mamaja e Anës, por tani kemi zbuluar që ju keni dhe një aktivitet tuajin…
-Po. Unë kam një biznes timin me lule kartoni artificiale, që aktualisht është trend botëror. Kam pothuajse dy vite që bëj punime me lule kartoni.
Inisi dhe Ingriti janë të famshme, Ana po ashtu, ndërsa ju keni zgjedhur që të qëndroni larg botës së medias. Përse ky vendim?
-Unë nuk kam qëndruar në hije sepse kam punuar për një periudhë kohore në televizion, por duke qenë se jam bërë mama shumë herët, zgjodhja që t’ju dedikohesha plotësisht atyre. Pastaj unë kam qenë gjithmonë një suport për të tria dhe kam pasur një rol, ndonëse në prapaskenë, për suksesin e tyre.
Të kthehemi pak në kohë. Ka qenë kjo ndarje që kur ishit të vogla, Inisi dhe Ingriti që kishin qejf botën e televizionit, të shfaqurin dhe ti pak më ndryshe?
-Ne jemi rritur në një familje artdashëse, në një farë mënyre. Babai ishte ai që na kishte ushqyer me dashurinë për muzikën, letërsinë…gati-gati sikur e dinim që të vogla që do merreshim me art, ndonjherë më duket sikur kemi lindur për të qenë të njohura.
Si i mbani mend Ingritin dhe Inisin të vogla?
-Me Inisin kemi shumë pak vite diferencë. Mbaj mend që kujdesesha për të si çdo motër e madhe, madje edhe kur luanim i bëja gjithnjë me shenjë që të bëhej me mua në një skuadër, sepse nuk e shikoja dot si kundërshtare. Ndërsa me Ingritin është diçka ndryshe pasi kemi një diferencë shumë të madhe, prej 9 vitesh, e trajtoja si vajzën time, jo si motrën. Ndonjëherë rastiste të ikte mami dhe babi në punë dhe e mbaja unë Ingritin, madje sikur kthehem pas në atë kohë tani që mbaj djalin e saj, Paridin. Më duket si përsëritje. Ingritin e trajtoja si vajzën time, madje ne nuk e thërrisnim në emër, po i thoshim “goca”, “ku është goca”.
Cili është raporti juaj me vajzën e madhe, Anën?
-Unë Anën e kam si një shoqe, më saktë me të dyja vajzat kam një marrëdhënie të tillë, duke qenë se kam qenë shumë e re kur jam bërë nënë. Duke qenë se dëshirat e mia në atë kohë nuk i realizova të gjitha, tashmë dëshirat e tyre i konsideroj si të miat. Kam shumë qejf që ato të dalin, nuk jam aspak një mama konservatore, ama ama jam shumë e fiksuar nga ana tjetër, dua ta di ku janë, të ma hapin celularin me zilen e parë, janë pak të theksuara gati në paranojë. Madje t’ju tregoj një rast: kur Ana kishte ikur të bënte për herë të parë pushime me shoqërinë në Vlorë (pushimet i bëjnë me mua) televizorin e lija tek News 24 dhe shikoja lajmet ditë e natë. I kam marrëdhëniet shumë të mira, megjithatë unë jam mami, sado të mundohemi të jemi si shoqe, unë jam mami i tyre dhe ato e dinë shumë mirë këtë gjë.

Ju pëlqen Ana më tepër si aktore apo si balerinë?
Ana më pëlqen në të dyja. Si balerinë ka qenë shumë e mirë, por pati një problem me gjurin dhe u detyrua ta linte, por si aktore më sjell një emocion tjetër, kur është në skenë, nuk kam frikë, nuk e kam atë sikletin që do e ngatërrojë pjesën, jam shumë e sigurt. Por edhe në balet. Unë vij çdo të hënë te Dance With Me. Ajo gjithmonë përpara se të nisë spektakli kontrollon llozhën ku unë jam ulur. Anën nuk e kam siklet me çdo lloj arti që të merret, qoftë me aktrimin qoftë me baletin.
Jua thotë Ana sekretet?
Ana tregon të gjitha sekretet dhe më pëlqen kjo marrëdhënie, ndonëse ka moment që nuk dua të m’i thotë disa, por buzëqesh dhe them me vete që nuk duhet ta prish këtë marrëdhënie të bukur që kemi. Ndërsa me vajzën tjetër është ndryshe. Mundohem që nëpërmjet Anës të mësoj ndonjë sekret, ose i them “thuaj ti Ana ndonjë gjë, që të flasë edhe ajo”. /RC