Julka Gramo mam çunash: Si i pritëm unë dhe bashkëshorti shtatzënitë
Në emisionin “Mami Evita” me moderatore Evi Reçin, ishte e ftuar këngëtarja dhe moderatorja Julka Gramo. Nga bisedat e këndshme që u zhvilluan në ambientet e Living, shikuesit zbuluan më shumë detaje nga jeta prindërore e Julkës, të cilën nuk e cek shpesh nëpër ekrane.
Moderatorja ka treguar se është bërë nënë për herë të parë në moshën 30- vjeçare, menjëherë pas propozimit që mori nga Andi, partneri i saj. Edhe pse ajo shprehet se kishte në plan të qëndronte edhe disa vite, duke u fokusuar më shumë në karrierë, lajmin se do të bëheshin prindër e pritën shumë mirë.
“Miti që vajzat bëjnë shumë për prindërit, nuk është i vërtetë. Edhe çunat bëjnë shumë. Fatmirësisht unë kam dy çuna që kur zgjohem në mëngjes vijnë dhe më thonë ‘mirëmëngjes e bukura ime’, ‘mirëmëngjes e bukura e dheut’, etj. Te djemtë e mi ka një lloj ndarje, i madhi është profesor si Andi, ka një logjikë të mprehtë. Edhe i vogli i ka, por është një ëmbëlsirë dhe më ngjan më shumë mua. Kur e shohin më thonë ‘o të ngjan fiks ty’, kemi shumë ngjashmëri karakteriale”, u shpreh Julka.
Teksa ka treguar për shtatzëninë e saj të parë, moderatorja Julka Gramo ka zbuluar edhe se si e priti çifti lajmin se do të bëheshin prindër: “Unë jam bërë nënë kur Andi më propozoi, pas një viti morëm lajmin që unë isha shtatzënë dhe isha në të 30-tat e mia. Erdhi momenti që pas 10 vitesh bashkëjetesë ne ishim shumë të lumtur që do bëheshim prindër”.
Kur vendosët për të bërë të dytin u nisët me dëshirën për të pasur vajzë, ishte pyetja që Evi Reçi i drejtoi këngëtares: “Në fakt kur e mendoja thellë kuptoja se ishte më mirë të kisha një djalë. Kjo, sepse gjërat i kishim pothuajse gati, veshjet, lodrat, mund të bashkëjetonin në një dhomë etj., dhe ta mendosh është më ekonomike t’i kesh të së njëjtës gjini. Por, përveç kësaj kuptova që të ishe mam çunash është shumë ‘nice’ ndaj e pritëm edhe të dytin me shumë dashuri”.