“Kemi ‘cic-micet’ tona”, Eda Zari për bashkëpunimin me djalin e saj: Jam nënë e mirë, por kolege më e mirë
“Fjala dhe tingulli si një Palimpsest”, është koncerti i veçantë me të cilin Eda Zari premton të na emocionojë më 28 Tetor. Ky do të jetë një koncert i cili ndërthur muzikën me poezinë e dy poetëve të lindur në vende krejtësisht të ndryshme, por me një ngjashmëri të madhe në poezitë e tyre, Lasgush Poradeci dhe gjermani Heinrich Heine. Ky koncert vjen në kuadër të serisë së aktiviteteve kulturore të Tetorit Gjerman (Deutsche Oktober 2022), me partner mediatik televizionin Klan.
Për të treguar më shumë detaje për këtë koncert këngëtarja Eda Zari ishte e ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku përveç dashurisë së madhe për fjalën e Lasgushit, rrëfeu një tjetër bashkëpunëtor të këtij koncerti, që është djali i saj. Ajo ka treguar se si ishte për të të punonte me djalin, duke thënë se pavarësisht atyre “cic-miceve” që ndodhin gjithmonë, ajo është një kolege e mirë.
Rudina Magjistari: Ka një moment shumë të rëndësishëm ky koncert, vjen për herë të parë në Shqipëri me djalin, në një koncert të dy bashkë?
Eda Zari: Është hera e parë në këtë kontekst, sepse ka qenë edhe producent i albumit “Palimpsest”, kompozitor dhe është dashuruar me shqipen e Lasgushit. Kudo që shkon në qasjet e tij, flet për poetin, për gjuhën, për atë bukuri që i qaset edhe muzikës dhe i jep mundësinë atij si kompozitor, thënë në zhargon ta “puqisë” mirë fjalën me tingull. Vjen për herë të parë, ndajmë një skenë të dy. Dihet ajo gjëja klishe, por që qëndron, fëmija gjithmonë do të largohet nga prindi. Kemi edhe këto “cic-micet” tona, por këto e bëjnë atë gjënë akoma më të bukur, fërkimet, gërricjet. Unë e them gjithmonë, jam një nënë e mirë, por jam një kolege më e mirë.