Kinë, politika për 2 fëmijë dështon – Nuk jep rezultatet e pritura

Kur Kina i dha fund zyrtarisht në vitin 2015 politikës “një fëmijë për familje”, çiftet duket se iu përgjigjën thirrjes dhe bënë më tepër fëmijë. Nën politikën e re që tashmë lejon 2 fëmijë, Kina regjistroi 18.46 milionë lindje në vitin 2016, shifra më e lartë që nga viti 2000, ku gjysma e këtyre fëmijëve kishte të paktën një vëlla ose motër më të madhe.

Por në vitin 2017 numri i lindjeve ra me 3.5%, në 17.23 milionë, sipas të dhënave të qeverisë. Gjysma e tyre ishte fëmija i dytë në familje.

Arsyeja e kësaj rënieje i atribuohet uljes së numrit të grave në moshë pjellore, si edhe faktit që më tepër gra po vonojnë martesën dhe shtatzaninë.

Zyrtarët kinezë kanë lehtësuar gradualisht politikën “një fëmijë”, që ishte vendosur që në vitin 1979,  me shpresën për të zgjidhur disa nga problemet sociale dhe ekonomike që ligji i planifikimit të familjeve ka shkaktuar. Të tilla probleme janë një pabarazi e madhe në gjini, ku për shumë burra është e vështirë të gjejnë gra, si edhe një forcë pune në tkurrje që kërcënon zhvillimin ekonomik.

Popullsia në moshë pune në Kinë ka qenë në rënie që prej vitit 2012 dhe qeveria paralajmëron për një ulje të theksuar pas viteve 2030. Një popullsi në plakje të shpejtë gjithashtu do të vendosë një presion të madh mbi shërbimet sociale të vendit.

Share With:
Translate »
609 Views