“Kjo është jeta, duhet të pajtohesh me të”! Afgani rrëfen jetën në Shqipëri: Jam me fat që ika nga talebanët. Zgjohem çdo ditë me sytë nga deti

“Washington Post” ka intervistuar disa afganë, të vendosur në vende të ndryshme të botës, pas marrjes së pushtetit në Afganistan nga talebanët.

Mes intervistave që sjell prestigjiozja amerikane është edhe një familje afgane e strehuar në Shqipëri, përkatësisht në Lezhë. Bëhet fjalë për 34-vjeçarin Miraq Popal, dhe familjen e tij, të cilët siç shprehen për “Washington Post”, zgjohen çdo ditë në Shqipëri me sytë nga deti.

“Unë jam me fat”, thotë Popal, “të paktën kam mundur të largohem dhe shpresoj të filloj një jetë të re”.

Në shkrim, “Washington Post” shkruan se Shqipëria po strehon përkohësisht 2400 afganë që ikën nga vendi i tyre për shkak të sundimit të talebanëve, teksa janë në pritje për t’u vendosur në një vendbanim të përhershëm. Popal ka aplikuar për një vizë në Kanada dhe po pret ende një përgjigje. Deri më tani ai nuk ka dëgjuar që asnjë afgan të jetë larguar nga Shqipëria.

Popal është i emocionuar për shkak të kujdesit që po merr ai dhe familja e tij, por i mungon shtëpia me 7 dhoma në Kabul, me një oborr të madh, ku bashkë me të afërmit e tij mblidheshin për të organizuar festa.

Në Shqipëri, ai bashkë me familjarët e tij, është i vendosur në dy dhoma, ku duhet të vendosen për të fjetur ai, gruaja dhe tre fëmijët e tyre. Njërën prej tyre kanë vendosur ta shndërrojnë në një kuzhinë, ku siç shprehet ai, gatuajnë darka të thjeshta me domate, qepë dhe patëllxhanë.

“Kjo është jeta, duhet të pajtohesh me të”, thotë Miraqa Popal.

Popal dikur ka udhëtuar nëpër botë për shkak se mbulonte TOLONEWS, kanali më i madh i lajmeve në Afganistan. Pas gati katër muajsh në Shqipëri ai ka nisur punë për organizatën si redaktor titrash, Por ai kërkon të rikthehet në “fushë”, pasi puna nga interneti nuk i jep të njëjtin emocion.

Share With:
Translate »
179 Views