Konfirmohen 16 raste me fruth, 1200 fëmijë të pavaksinuar në Tiranë

Instituti i Shëndetit Publik konfirmon 16 fëmijë të prekur nga sëmundja infektive e fruthit, të cilët po mbahen të izoluar në një pavijon të veçantë në QSUT dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

Vatra e infekimit ka qenë Urgjenca e Pediatrisë në spitalin “Nënë Tereza”, ku një fëmijë ka infektuar fillimisht të vëllain dhe më pas të vegjël të tjerë. Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino pohon se të gjitha rastet kanë të bëjnë me fëmijë të pavaksinuar.

Silva Bino: “Numri i të prekruve me fruth të cilët janë konfirmuar nga laboratori pranë ISHP është 16, ndërkohë kemi edhe dy raste të tjera të mundshme. Rastet janë kryesisht fëmijë, pjesa më e madhe e tyre është nën moshën 1-vjeç apo 1 vjeç e pak dhe që e kanë shtyrë vaksinimin për më vonë. Unë u bëj apel që prindërit të mos shkojnë që të gjithë  për çdo temperaturë apo çdo shqetësim në QSUT, sepse kemi një grumbullim të madh të rasteve pranë urgjencës së QSUT-së”.

Vetëm në Tiranë janë 1200 fëmijë të cilët nuk e kanë kryer vaksinën e moshës 1-vjeçare, e cila refuzohet nga prindërit si shkaktare e autizmit. Për të evituar përhapjen e mëtejshme të fruthit, Bino u bën apel prindërve dhe mjekëve, që të mos neglizhojnë më vaksinimin, ndërsa kërkon që çerdhet, kopshtet dhe shkollat të mos pranojnë asnjë fëmijë pa kartelën e vaksinimit.

Silva Bino: “I bëjmë apel popullatës që për çdo fëmijë i cili nuk është vaksinuar të vaksinohet. Gjithashtu i bëjmë apel edhe personelit shëndetësor që të mos shtyjë vaksinimet sepse do të mbajë përgjegjësi sipas ligjit të sëmundjeve infektive. U bëjmë apel edhe kopshteve, çerdheve dhe shkollave që të mos pranojnë fëmijë të cilët nuk kanë kartelën e plotë të vaksinimit”

Po çfarë shenjash shfaq sëmundja infektive e fruthit, e cila prek disa organe të trupit dhe forma më e rëndë e saj shkakton edhe vdekje.

Silva Bino: “Fëmija zakonisht që ka fruth ka një temperaturë tepër të lartë, është fare i këputur, është shumë më i këputur se sa kur paraqet grip dhe më pas shfaqen disa njolla të kuqe në lëkurë dhë në gojë. Përhapja e fruthit te personat që nuk janë të vaksinuar është si flaka e shkrepses. Është një sëmundje e cila mund të shkaktoj deri vdekje”

Rasti i pari i fruthit dyshohet se është importuar nga Kosova, por sipas specialistëve të ISHP, edhe pse nuk bëhet fjalë për epidemi, Shqipëria është e rrethuar nga rreziku i fruthit, pasi virusi është duke qarkulluar në vendet e Ballkanit, por edhe në shtete të tjera si Greqia dhe Italia.

Share With:
Translate »
705 Views