Kristina Baki rrëfen për shtatzaninë e dytë, udhëtim drejt mrekullisë!
Udhëtimet janë pasqyrë e kujtimeve më të veçanta. Por ka udhëtime që të mbushin shpirtin, si ato të pritjes së ëmbël së një bebeje. Kështu e përshkruan Kristina Baki këtë shtatzëni. Në ndjesi të paqta e të tjera të furishme, në përjetime të përsëritura e ato të rejat që të befasojnë, në dashurinë e partnerit, kuriozitetit të Sierës që po pret motrën, Kristina rrëfeu udhëtimin e saj drejt mrekullisë…
Photoshooting: Erjon Beshiri/ Make-UP: Suela Cangu/ Veshjet: COIN/ Intervista nga Manjola Markola
Kristina, së pari, urime për pritjen e ëmbël. Si po e përjeton këtë periudhë?
Shtatzënia është gjithmonë një periudhë e mrekullueshme, por ndihesh më e qetë dhe më e sigurt në shtatzëninë e dytë. Diçka ka ndryshuar, sidomos pas përvojës së parë, tani jam më e përgatitur për ndryshimet dhe sfidat që sjell ky moment. E di më mirë çfarë mund të pres dhe çfarë duhet të bëj për t’u kujdesur për veten dhe për beben që po rritet brenda meje.
A ndryshojnë ndjesitë dhe përjetimet nga shtatzënia e parë në të dytën, duke qenë se je më e plotësuar me informacion pasi ke shkelur në atë rrugë më parë?
Sigurisht që ka disa ndryshime. Në shtatzëninë e parë gjithçka është një mrekulli e re dhe çdo ditë ka ndjenja të ndryshme. Në të dytën, ndihesh më e qetë dhe më e përgatitur, por gjithashtu vëren se ke më shumë përgjegjësi, duke qenë se tashmë je nënë dhe ke edhe një fëmijë tjetër për të cilin duhet të kujdesesh.
Ka qenë një shtatzëni surprizë, apo një shtatzëni e planifikuar?
Ka qenë një shtatzëni e planifikuar, unë gjithmonë kam dashur më shumë se një fëmijë, kështu që femijen e dyte nuk do ta shtyja dhe shumë për ta sjellë në jetë, por gjithsesi ka pasur një emocion të papritur kur morëm lajmin. Çdo shtatzëni ka një emocion të veçantë, pavarësisht se sa mirë mund ta kesh planifikuar.
Si ka qenë ai momenti i parë që e more vesh që ishe shtatzënë? Kujt i tregove të parit apo të parës?
Sigurisht edhe pse ishte e planifikuar dhe e dëshiruar, përderisa unë arrita ta kuptoja pa bërë testin se kisha ngelur sërish shtatzënë, sepse tani i njihja shumë më mirë simptomat dhe ndryshimet që pëson trupi në ato ditë, prapë ishte e pashmangshme përzierja e emocioneve, si gëzim, frikë apo pasiguri. Personi i parë që e mori vesh ishte partneri im, që përveç lajmit u ndesh dhe me të gjitha këto përzierjet e ndjesive të mia në momentet e para.
Çfarë ka ndryshuar te ti nga shtatzënia e parë në të dytën?
Jam më e sigurt dhe më e qetë. Tashmë e di më mirë se si të kujdesem për veten dhe për beben, dhe kjo më ndihmon të shijoj më shumë momentet e kësaj shtatzënie. Gjithashtu, e di që ka shumë gjëra që ndodhin për shkak të shpirtit të nënës dhe instikteve që ndihmojnë natyrshëm.
Ke pasur ndonjë moment të vështirë gjatë këtyre muajve?
Po, siç ndodh me çdo shtatzëni, ka pasur momente të vështira. Mund të jenë sfida fizike, por gjithashtu është e vështirë të balancohet kujdesi për një fëmijë të vogël dhe të kesh një shtatzëni të dytë. Por, gjithçka është pjesë e udhëtimit dhe është një mrekulli që ne kemi fatin ta përjetojmë.
Si e priti partneri lajmin për shtatzëninë e dytë? Është më i përgatitur për rolin e babait tani me bebushen e dytë?
E priti pak më me qetësi se shtatzëninë e parë. Tani është më i pjekur ne rolin e të qenit baba, më prezent, më i angazhuar. Ka një lidhje shumë të bukur me Sierën dhe sigurisht bashkë me frikën dhe emocionet që e kapin shpesh se do bëhet me dy goca sërish është entuziast dhe mezi po e pret.
Si ka qenë marrëdhënia juaj gjatë kësaj periudhe?
Marrëdhënia jonë është bërë edhe më e fortë gjatë kësaj periudhe, sepse përjetojmë një eksperiencë të re së bashku. Ka pasur edhe momente të vështira patjeter, por gjithçka është më e bukur dhe kalon me thjeshtë kur ke dhe bashkëpunimin e partnerit.
Keni menduar për emrin e bebushes?
Po, kemi disa ide, por ende nuk kemi vendosur, mund të them që gjetja e emrit është pjesa më e vështirë. Sepse do diçka që ka domethënie të veçantë dhe që është i bukur, por i shkurtër dhe i lehtë për t’u shqiptuar, që nuk është shumë i zakonshëm dhe kështu që bëhet shumë e vështirë.
Po nepset gjatë kësaj shtatzënie si kanë qenë? Ke pasur ndonjë kështu të veçantë që je habitur dhe vetë kur e kërkoje?
Nuk mund të them që kam pasur neps për ndonjë ushqim specifik, por do thoja kam pasur nje “neps nostalgjik”, ndoshta s’ka kuptim si fjalë, por ka qenë fiks ashtu, më ka shkuar mendja shpesh për gatimet tradicionale të mamit tim të cilat i bënte shpesh dikur ose kur unë kam qenë më e vogël.
Përveç partnerit, është dhe Siera, motra e madhe. Çfarë reagimi ka ndaj rolit që do marrë së shpejti?
Siera deri tani është treguar shumë pozitive, nuk e di a e kupton vertet qe do behet me nje moter apo thjesht mendon se do jetë një kukull me tepër te lodrat e saj. Por gjithsesi ajo na tregon çdo ditë se sa do të kujdeset për motrën dhe sa shumë do ta dojë, kështu që për ne është ndjesia më e bukur ta shohim të gëzojë për këtë hap të ri të jetës së saj.
Si e përgatit veten për të qenë mami e dy vajzave, e ndien si sfidë në kohën që po jetojmë?
Po, mund ta quaj nje lloj sfide të vështirë, sidomos në këtë kohë, kur ka shumë presione dhe kërkesa të larta për vajzat, por jo vetëm. Por e shoh si një bekim të madh, që të mund të rris dy vajza të forta, të dashura dhe të mençura. Po përgatitem për këtë edhe duke punuar me veten në mënyrë që të jem versioni më i mirë i vetes por që edhe ato të kenë një shembull të mirë për të marrë sepse nga eksperienca po shoh që fëmijët nuk bëjnë atë cka ne themi, por atë që ata shohin duke jetuar me ne.
Çfarë do të jetë më e rëndësishme për t’i mësuar dy vajzave të tua?
E para dhe më e rëndësishmja për mua është t’i mësoj të jenë të sjellshme, të dhembshura dhe të kujdesen për njëra-tjetrën. Dua që ato të rriten duke pasur dashuri dhe respekt për njerëzit dhe botën rreth tyre. Të jenë gjithashtu të forta dhe të kenë besim te vetja.
Ka ndonjë gjë që mezi pret ta përjetosh sërish me një bebe, tani që Siera është më e rritur dhe të mungon ajo periudha e muajve të parë?
Po, momenti kur ta mbaj për herë të parë në krah, t’i dëgjoj rrahjet e zemrës, të ndjej ngrohtësinë e saj, aromën, lëkurën e butë, të shoh reagimet e saj kur sheh botën dhe provon emocionet për herë të parë.
E di që do të ketë netë të gjata pa gjumë, por ndjenja e dashurisë është ajo që e bën gjithçka të vlefshme.
Kristina, nëse vajzat e tua do ta lexojnë këtë intervistë pas 20 vjetësh, ç’mesazh do doje të gjenin nga nëna e tyre?
Vajzat e mia të dashura, ju jeni dhurata më e bukur që më ka bërë jeta. Do të jem gjithmonë këtu për ju, për të qeshurat, për lotët, për gjithçka që jeta do t’iu sjellë. Jetoni me zemër, dashuroni pa frikë dhe mos harroni kurrë: mami ju do pafund, çdo ditë, në çdo kohë.