Kristina Bakiu: “Babai nuk më ka lejuar të merrja pjesë në konkurse bukurie”
#thuajemepepsi erdhi ndryshe në episodin e 23-të të tij pasi folësi për këtë të martë ishte moderatori i ‘Pop Culture’, Kelvi Kadilli i cili solli në studio një bukuroshe si Kristina Bakiu.
Modelja e famshme e cila ka 6 vite që ushtron këtë profesion ka folur mbi avantazhet dhe disavantazhet e të qënit pjesë e industrisë së modës. Të jesh një modele në Shqipëri nuk është aspak e lehtë ndërkohë që projektet me firma të ndryshme jashtë vendit kërkojnë shumë punë, kohë dhe përkushtim.
Kristina, e konsideruar si nga modelet më të mira në Shqipëri ka treguar se kjo punë nuk ka qenë e vështirë për të pasi është diçka që e bën me shumë pasion duke i kushtuar të gjithë kohën. Megjithatë, në fillimet e saj duket se ka pasur vetëm një pengesë, babain e saj.
Që në fillore ajo dëshironte të bëhej pjesë e botës së modës por babai i saj, disi fanatik, nuk e ka lejuar. 22-vjeçarja është shprehur se kur nisën audicionet në shkollën e saj që kërkonin modele të reja, ajo u paraqit me babain e bindur se ai nuk do ta linte të konkuronte.
Meqenëse të nesërmen ajo kishte ditëlindjen dhe i ati vuri re talentin dhe këmbënguljen e saj vendosi ta lërë të merrte pjesë në konkurs. Kristina ka shfrytëzuar çdo pjesmarrje në konkurse bukurie për t’u njohur akoma më shumë me këtë industri por edhe për të krijuar emrin e saj në të.
Edhe pse pas 6 vitesh babai është krenar për suksesin e saj ende vazhdon të merakoset për të si në ditën e parë kur e lejoi të merrte pjesë në audicion. Kristina u shpreh me shumë humor se kur i tregon babait të saj fotot e revistave në të cilat shfaqet, ai e këshillon që mos të dalë shumë e zhveshur.