Kujdesi dentar për nxënësit në shkolla, do të shkojë edhe në zonat më të thella
Pas investimit në 19 njësi dentare të dentistrisë në shkolla, dy njësi të lëvizshme të shërbimit dentar do të jenë tashmë në dispozicion të zonave rurale. Pra dentistët do të shkojnë në çdo shkollë të zonave më të thella, për t`u dhënë shërbim nxënësve.
Në prezantimin e dy njësive të reja, të lëvizshme, ishte e pranishme sot ministrja Manastirliu së bashku me Ambasadoren e Zvicrës, Ruth Huber. Projekti financohet nga ambasada zvicerane në Shqipëri.
“Tashmë ne vijmë me një stad të ri të investimeve përsa i përket programit të dentistrisë për fëmijët në shkolla dhe janë pikërisht këto dy njësi të lëvishme të kujdesit dentar që do të mundësojnë që jo vetëm të kemi një kujdes dentar për fëmijët në zonat urbane, por edhe në zonat e thella, nëpërmjet njësive të lëvizshme, të cilët do të kenë edhe stomatologët, infermierët, teknikët të cilët do të kujdesen për shendetin oral të fëmijëve në zonat e thella”, tha Manastirliu.
Shërbimi do të ofrohet në shkolla sipas një kalendari të caktuar.
Nxënësit do të marrin kujdesin e duhur, por edhe informimin dhe edukimin mbi shëndetin oral.