“Kundër ndalimit të abortit”, gratë bllokojnë rrugët dhe sheshet në Poloni
Varshava, por edhe shumë qytete të tjera të Polonisë, prej ditësh janë përfshirë nga një valë e gjatë protestash për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Polonisë për ta shpallur antikushtetues abortin.
Protestuesit u mblodhën në Varshavë edhe këtë të premte, në demonstratën më të madhe të organizuar pas vendimit të gjykatës që ndalon thuajse plotësisht abortin.
Dhjetëra mijëra aktivistë organizuan marshime përgjatë çdo qyteti, duke ndërprerë shërbimin në kisha në vendin me dominancë katolike.

Grupi “Protesta e Gruas” njoftoi në rrjetin social Facebook se protestuesit do të marshonin nga të gjitha anët e Polonisë për t’u bashkuar në tre destinacione të ndryshme në qendër të qytetit, në orën 16:00 sipas orës lokale.
Mijëra njerëz i bllokuan rrugët në Poloni, për të pestën ditë radhazi, për të kundërshtuar ndalimin pothuajse të plotë të abortit. Në Varshavë, protestuesit i bllokuan kryqëzimet kryesore, duke i ndaluar makinat dhe tramvajet për rreth një orë.
Disa prej tyre mbanin pankarta me mbishkrimin: “Do të doja ta abortoja qeverinë time”. Protestat konsiderohen të pazakonta në një vend ku Kisha Katolike Romake ka ndikim shumë të madh.

Të hënën, protestat u zhvilluan në rreth 50 qytete të Polonisë, por pasuan me më shumë protestues gjatë të gjitha ditëve të javës. Të premten, protestuesit i ndërprenë shërbimet kishtare dhe shkruan mbishkrime në muret e kishave të Varshavës.
Marshimi i fundit në shkallë të gjerë ishte planifikuar për të premten në Varshavë, pavarësisht thirrjeve të qeverisë që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi, për shkak të koronavirusit.

Polonia ka shënuar rekorde të reja në lidhje me rastet e raportuara të koronavirusit, duke arritur gati në 22,000 të infektuar.
Klementyna Suchanow, një nga organizatoret kryesore me nismën “Greva e Grave”, tha se ajo dhe shumë të tjerë nuk pranuan të tërhiqen, pavarësisht situatës së Covid-19, sepse ato besojnë se po luftojnë për një të drejtë themelore.

“Kjo ka të bëjë me lirinë dhe dinjitetin e njerëzve. Vullneti i njerëzve për të protestuar duhet të jetë një mësim për këdo që dëshiron të imponojë mënyra autoritare”,- tha Suchanow.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka mbështetur demonstruesit, duke thënë se ai mendon se gratë duhet të kenë të drejtën e abortit në disa raste.