Kur dashuria lind në bankat e shkollës. Messi mban rekord
Ed Sheeran sapo njoftoi fejesën me të dashurën Cherry, me të cilën njihet që nga gjimnazi. Nuk mbeten pas as Bono e Ron Howard. Por, rekordi mbahet nga Leo Messi.

Këngëtari britanik dhe Cherry Seaborn, thuajse bashkëmoshatarë, njihen që në kohët e shkollës së mesme në Suffolk. “Jemi të dashuruar dhe të lumtur. Po ashtu edhe macet tona”. Kështu shkroi Sheeran në rrjetet sociale, për të njoftuar fejesën e tyre. Ed dhe Cherry pas gjimnazit morën rrugë të ndryshme, por u ritakuan në vitin 2015 në New York, falë një miku të përbashkët. Lidhja e tyre u bë publike vetëm verën që sapo lamë pas, në festën e 4 Korrikut, të organizuar nga Taylor Swift. Këngët “Shape of you” dhe “Perfect” janë frymëzuar prej saj.

Dashuria që lind në bankat e shkollës është një përrallë klasike tepër e përhapur. Ka nga ata që nuk kanë fare dyshime, që në fillim. Një prej tyre është edhe lideri i “U2”, Bono, që e ka njohur Alison Stewart në vitin 1975 në “Mount Temple School” në Dublin, dhe që atëherë nuk janë ndarë më. U martuan në vitin 1982 dhe kanë katër fëmijë, Jordan, Eve, Elijah e John. Edhe regjisori Ron Howard u dashurua në gjimnaz me bashkëshorten e tij Cheryl, u martuan në vitin 1975 dhe kanë katër fëmijë, Bryce, binjaket Paige e Jocelyn, si dhe Reed Cross.

Por, ka nga ata që e kuptojnë shumë më shpejt se ajo vajzë është e duhura për të. Rekordi i premtimit të dashurisë mbahet nga Lionel Messi. Futbollisti i Barcelonës u njoh me Antonella Roccuzzo në moshën 5-vjeçare dhe kur ishte 8 vjeç i premtoi se do të bëhej bashkëshortja e tij. E mbajti premtimin në vitin 2017, përpara dy fëmijëve të tyre Thiago e Mateo si dhe 250 të ftuarve.