Kur do të zëvendësohen orët e humbura të mësimit për shkak të tërmetit

Orët e humbura të mësimit, për shkak të ndërprerjes dyjavore si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, do të zëvendësohen. Drejtori ASCAP-it (Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar), Gerti Janaqi, gjatë një daljeje në media, ka njoftuar se orët e humbura të mësimit do të zëvendësohen për shkollat që, si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, ndërprenë aktivitetin e tyre mësimor.

Sipas tij, këto orë mund të zhvillohen gjatë ditëve të shtuna ose pas orëve të shtata, me orare të shkurtuara. Por një mundësi janë edhe javët e fundit të muajit qershor.

Mund të ketë zëvendësime që janë pas orëve të shtata, me orare më të shkurtuara; mund të bëhen zëvendësime ditët e shtuna, por edhe gjatë javëve të fundit të muajit qershor. Ne kemi udhëzuar Zyrat Arsimore, që skenarët t’i zbatojnë në varësi të nevojave që kanë, të emergjencave dhe sigurisht që nuk mund të ketë një skenar imediat dhe të thjeshtë”,– ka thënë Drejtori ASCAP, Gerti Janaqi.

Sipas Janaqit, Ministria e Arsimit do të nxjerrë një udhëzim të ri ku do të specifikohen datat.

E rëndësishme është që shkolla ka filluar, normaliteti është kthyer dhe ne i sigurojmë të gjithë prindërit në Republikën e Shqipërisë, që pavarësisht vonesave të shkurtra për shkak të emergjencës, kjo është një situatë që do të kompensohet dhe shkollat kanë lirinë dhe fleksibilitetin për të marrë vendimet respektive për të mos cenuar asnjë orë të humbur të procesit mësimor”,- është shprehur Janaqi.

Ndërkohë, 420 nxënës që vijnë nga familjet e prekura nga tërmeti kanë mungesë librash. Në këto kushte shtëpitë botuese dhe donatorë të ndryshëm kanë ndihmuar në pajisjen e tyre me tekste.

Share With:
Translate »
563 Views