Kush është adoleshentja që Yuri Kim ftoi të përshëndesë në emër të Shqipërisë

Në pritjen që organizoi mbrëmë Ambasada Amerikane për 245- vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Amerikës dhe 30- vjetorit të rilidhjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri, ndryshe nga rastet e mëparshme, kur pas diplomatit amerikan fjalën do ta merrte një zyrtar i lartë shqiptar, në podium u ngrit një vajzë 18-vjeçare. “Thyerjen” e protokollit tradicional e pranoi në fjalën e saj ambasadorja Yuri Kim, që më pas prezantoi maturanten Dea Rrozhani për të përfaqësuar Shqipërinë dhe rininë e saj.

Duke prezantuar Dean ambasadorja Kim u shpreh se: “Siç mund ta dinë disa nga ju, kremtimi ynë i Ditës së Pavarësisë zakonisht kërkon fjalim nga dikush që përfaqëson Shtetet e Bashkuara dhe nga dikush që përfaqëson Shqipërinë. Me sytë tanë të përqendruar fort në të ardhmen, a mund t’ju kërkoj të mirëprisni Dea Rrozhanin për të folur jo vetëm në emër të Shqipërisë, por në emër të së ardhmes? Dea erdhi për herë të parë në Këndin Amerikan në Tiranë kur ishte tetë vjeçe. Në vitin 2019, ekipi i Deas shkoi në Silicon Valley si përfaqësuesit shqiptarëa dhe fitoi sfidën globale të “Technovation”. Këtë vjeshtë, Dea do t’i bashkohet studentëve të vitit të parë në Universitetin e Pensilvanisë. E ardhmja është me të vërtetë e ndritshme”- u shpreh ambasadorja Kim, që është diplomuar edhe vetë në UPENN.

“Ndërsa unë dhe bashkëmoshatarët e mi nuk kemi qenë dëshmitarë as të rrethanave dhe të përpjekjeve të vazhdueshme e të jashtëzakonshme të kësaj rivendosjeje, ne jemi dëshimtarë më të fuqishëm të rezultateve të kësaj sinergjie” – tha ndër të tjera Dea në fjalën e saj duke treguar të pranishmëve punën e rëndësishme që Këndet Amerikane kanë bërë në të gjithë vendin për të fuqizuar rininë shqiptare.

Dea Rrozhani është  programuese, dizajner  dhe bashkëthemeluese e aplikacionit “GjejZa” të vlerësuar me Çmimin e Madh “Technovation Global 2019” në Kaliforni, duke i dhuruar titullin kampion Shqipërisë e vogël, për herë të parë në histori . “GjejZa” adreson dhunën me bazë gjinore dhe është krijuar për t’u ofruar vajzave dhe grave mundësi shërbimi, informimi dhe ndërgjegjësimi.

Ekipi shqiptar që zuri vendin e parë në Kaliforni më 16 gusht 2019 me aplikacionin “GjejZa”

 

Dea e nisi rrugëtimin e saj në Këndin Amerikan në Tiranë kur ishte vetëm tetë vjeç, si anëtare e programit Klubi i Fëmijëve. Ajo vazhdoi duke qenë pjesë e programit Vajzat Technovation, fillimisht si studente dhe më vonë si bashkë-udhëheqëse, ambasadore e vajzave në STEM dhe trajnere. Më vonë, Dea drejtoi programin RoboTech në Këndin Amerikan në Tiranë, ku të rinjtë shqiptarë mësuan për robotët dhe teknologjinë. Gjatë periudhës së vështirë të pandemisë, Dea ndihmoi edhe në Këndin Amerikan në Vlorë, duke udhëhequr ICT Bootcamp 1 dhe 2. Vendosmëria, pasioni, gatishmëria për të mësuar dhe për të ndarë njohuritë me bashkëmoshatarët e saj janë disa karakteristika të veçanta të cilat e bëjnë Dean një udhëheqëse të re shembullore dhe të suksesshme.

Dea Rrozhani është  gjithashtu  kapitene e Ekipit Kombëtar të Robotikës që përfaqëson Shqipërinë në Lojërat Olimpike Botërore të Robotikës, First Global.

Ekipi Kombëtar i Robotikës në lojërat e Dubait, tetor 2019. Dea tashmë është kapitene e ekipit

Share With:
Translate »
428 Views