Kush është princeshë Latifa dhe akuzat se babai i saj sundimtar i Dubait po e mban peng
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e Njeriut ka kërkuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe të japë prova se princesha Latifa, vajza e sundimtarit të Dubait është gjallë.
Në videot e regjistruara fshehurazi, princesha Latifa akuzon babanë e saj se po e mban peng në Dubai qëkur ajo tentoi të arratisej në vitin 2018. Në video, Princesha Latifa thotë se ka frikë për jetën e saj ndërsa grupi aktivist ku janë pjesë dhe miq të princeshës i është kërkuar të dorëzojë videot.
Babai i Princeshës Latifa, Sheik Mohammed bin Rashid Al Maktoum, është një nga krerët më të pasur të shtetit në botë, sundimtari i Dubait dhe nënkryetari i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Por çfarë dihet për Princeshën Latifa?
Me ndihmën e miqve, Princesha Latifa u përpoq të largohej nga Dubai për të filluar një jetë të re në shkurt të vitit 2018.
“Nuk më lejohet të ngas makinën, nuk më lejohet të udhëtoj ose të largohem fare nga Dubai”, thotë ajo në një video të regjistruar pak para arratisjes së saj.
Por pak ditë më vonë, princesha u kap nga komandot në një varkë në Oqeanin Indian. Ajo u kthye përsëri në Dubai, ku thuhet se mbahet e mbyllur që nga ajo kohë.

Babai i saj ka thënë se po vepron në të mirën e saj. Më herët ai ka thënë se princeshë Latifa është e sigurt nën kujdesin e familjes.
Por vetë princesha, e cila mbante fshehurazi një telefon rreth një vit më parë ka regjistruar veten teksa ishte e kyçur në një banjë. Dyshohet se ajo po mbahet në një vilë në një zonë periferike të Dubait e rrethuar me police që nuk e lënë të dalin.

Shumë shtete si Amerika dhe Britania kanë shprehur shqetësimet për rastin duke kërkuar transparencë dhe prova që Princesha është shëndoshë e mirë.
*Tiranapost.al.