Kuzhinieri Ismet Shehu, rrëfen si po e trashëgon profesionin tek e bija: E kam frymëzim kur gatuaj
Në pjesën e dytë të emisionit të pasdites “Jeto me orën” në RTV ora, ditën e sotme u diskutua një temë shumë interesante siç është frymëzimi i prindërve për të trashëguar profesionin e tyre tek fëmijët. Për të folur më shumë rreth kësaj teme shumë të diskutuar kohët e fundit, ishin të ftuar Ismet Shehu Kuzhinier , sipërmarrës, Soela Zaimin fotografe dhe në lidhje skype nga Prishtina Diola Dosti nutricioniste.
Soela, tregoi sesi vajza e saj 4-vjeçare u bë pjesë e profesionit të saj.
“Vajzën e kam të vogël, por ajo e ka kuptuar punën që unë bëj. Fillimisht është bërë pjesë e seteve të mija fotografike, që kur ka lindur. Me pak fjalë ka qenë modelja imë e parë, tashmë ajo do më shumë të bëj fotografi, sesa ti bëjn asaj. Pavarësisht se është e vogël dhe e dhënë shumë pas fotografisë, ajo dëshiron të bëhet mjeke kur të rritet, ashtu si babai i saj”, u shpreh Zaimi.
Ndërsa, Shehu tha se pavarësisht se kuzhina është një profesion dhe vend me rrezik për të vegjëlit, ai tha se sërish e ka nxitur vajzën e tij, Ines drejt këtij profesioni. “Kuzhina është goxha e vështirë dhe e rrezikshme për të përfshirë fëmijët në moshë të vogël, por Inesi këtë gjë e kupton.
Ajo madje është më shumë e lidhur me stafin se me mua, kjo gjë nuk i vlen shumë se bëhet e llastuar. Ka raste kur nuk ka fluks dhe thotë është shumë e lehtë si punë, ndërsa kur sheh që ka punë dhe lëvizje, “kërkon” lekë për punën që do të bëjë. Mërzitet ndonjëherë se nxjerr faturat dhe në moment shpejtësie i bërtas, preket dhe qan.
Dhe i drejtohet stafit duke i thënë se nuk mund t’më bërtasë mua babi, sepse unë jam shefja aty”, u shpreh Shehu. Ndërkohë, nutricionistia Dosti tha se punon shumë me vajzat e saj për t’u bërë të suksesshme në jetë, ku u shpreh se në fazën e adoleshencës të rinjtë bëhen dembelë.
“Fëmijët e sotëm që janë futur në fazën e adoleshencës, bëhen pak dembelë dhe duhet pak nxitje që të funksionojnë gjërat. Me vajzën e madhe që e kam 14 vjeç, ka qenë pak problem sepse është e paqëndrueshme, dhe ndryshonte mendim nga muaji në muaj. Më parë ka pas hap një biznes të vetin online, ku shiste punime me grep, geta me lule, etj.
Më tej ajo tha se “fëmijëve duhet vetëm t’u japim krahë dhe le të zgjedhin vetë profesionin që dëshirojnë të bëjnë, por mbështetje dhe orientim duan”.
Po ashtu fotografia Zaimi tregoi disa moment epike me vogëlushen e saj në ambientin e punës. “Ndonjëherë ndihem keq në ambientin e punës, pasi vajza është e vogël dhe do që të bëjë fotografi ajo në vend të ndonjë fëmijë tjetër aty në studio. Si të thuash shqetëson të tjerët, se duan të përjetojnë atë ndjenjën dhe emocionin vetë, pa ndërhyrë dikush”, u shpreh ajo.
E kundërta ishte për Shehun, pasi ai argumentoi duke thënë se të mbajturit e fëmijëve në ambientin e punës u vlen shumë atyre kur të rriten.
“Të përfshirë fëmijët në ambientin e punës është një gjë shumë e mirë, pasi kalon kohë më shumë me ta. Shumica e fëmijëve në ditën e sotme nuk e dinë se ku u punojnë prindërit. Më pas u vlen shumë atyre, sepse kuptojnë rrugëtimin e vështirësive dhe sfidave që janë rritur për të ardhur deri aty”, përfundoi ai.