Le të flasim ADOLESHENÇE

I frustruar nga biseda e gjatë me të birin 16 vjeç, babai shkon drejt dhomës së tij, dhe ashtu rrëmbimthi, mendon se si mund të ishte aq e vështirë të komunikosh me një fëmijë, kur ai vet arrinte të komunikonte dhe të bindte një gjykatë të tërë me profesionin e tij si jurist.

“Çfarë po ndodh kështu, mos ndoshta jam i paaftë dhe i dështuar me fëmijën tim? E si munda unë pas një bisede të gjatë, të dalë më konfuz se asnjëherë tjetër për të kuptuar midis linjave, se çfarë donte të më thoshte im bir? Me duket ndonjëherë sikur nuk e njoh. Ndonjëherë tjetër shikoj veten time tek ai. Ndonjëherë më duket kaq e vështirë t’i afrohem, si të ishte prej qelqi, ose më mirë si një bombë me sahat, që sapo të them diçka, do shpërthej në zemërim, dhe unë sërisht do të ndjehem si babai më i paaftë në botë. Ore, të gjithë adoleshentët kështu janë, apo vetëm ky i imi?! Jo për gjë, por po ta dija, ndoshta jeta ime do të ishte më pak mizerabël.”

Këto ishin fjalët e një babai, i cili me ndjeshmërinë dhe dashurinë për djalin, pasi vet ishte rritur pa baba, nuk vinte gjumë në sy prej disa kohësh, me frikën se nuk do gjente një gjuhë të përbashkët me djalin, dhe se ndoshta nuk do e gjente ndonjëherë. Për babain, do të ishte fantastike të shpenzonte më shumë kohë duke komunikuar dëshirat, ëndërrat, pritshmëritë, paragjykimet, pasionet, dashuritë etj., por duket se kjo nuk ishte bërë e mundur deri më tani. Do të donte të mos e shikonte të trishtuar hera-herës, pasi i shkaktonte shumë dhimbje, dhe ky nuk ishte kujtimi më i bukur që ai mbante në mendje kur djali i tij ishte ende çilimi. Tashmë, ai dinte shumë pak, pasi nuk arrinte të fliste, të bashkëbisedonin prej kohësh… ndjente dëshpërim nga frika se mos kjo nuk do të ndodhte asnjëherë.

Prej shumë vitesh, adoleshentët kanë qenë target-grupi i preferuar në profesionin tim. Këshillimi me prindër me fëmijë adoleshent dhe me vet adoleshentët, ka qenë një nga eksperiencat më të bukura dhe më të pasura në vlera të poshoqe për të kuptuar qënien njerëzore. I jam kaq mirënjohëse të gjithë atyre që më kanë dhënë rastin të jem pjesë e jetës së tyre dhe të kuptoja koma më mirë, se si situata të vështira, kanë ndonjëherë zgjidhje të thjeshta. Ndërkohë, zgjidhjet e thjeshta do të duhet të burojnë nga zgjedhje, të cilat qëllojnë që të jenë edhe të vështira. Pra, zgjidhjet bëhen më të thjeshta kur ne heqim dorë prej disa gjërave që janë gati të pamundura dhe që do të duhet t’i pranojmë si të këtilla.

Prindërit ndonjëherë ndërmarrin iniciativa të pamundura, por ndërkohë ata do e provojnë atë që dinë, sesa të rrinin pa bërë gjë, ndaj dhe nuk ka vend për paragjykim këtu. Thjesht do të përpiqemi të vijmë me disa zgjidhje praktike se si të komunikojmë me fëmijët tanë adoleshentë.

Shumë prej prindërve zgjedhin të mbjanë leksion për të mbërritur në kontakt me fëmijët e tyre. Por, si rasti i mësipërm, leksionet nuk të çojnë shumë larg dhe zakonisht, përfundojnë në kundërshti shumë të zjarrta nga ana e adoleshentëve. Aty prindërit dëgjojnë fjalët më të forta si: “ik zhduku”, “më çave kokën”, “fillove ti me moralizma!?”, “ooouuuu, s’di gjë tjetër ti, vetëm fjalë, fjalë, fjalë.” Krahas këtyre frazave, ka dhe veprime si: përplasja e derës, hedhja e telekomandave të televizorit, shtyrja e tavolinës, karriges, etj. Nuk ka prind që të mos dalë i frustruar dhe i dëshpëruar nga reagime si këto.

Po pse adoleshentët reagojnë kështu? Sigurisht që të flasësh duke dhënë leksion është një mënyrë komunikimi, por kërkon dëgjues të mirë dhe në këtë skenar, adoleshentët nuk ndjehen të dëgjuar dhe të kuptuar, por pasiv me riskun edhe për t’u gjykuar. Mbi të gjitha një adoleshent që nuk ndjehet i dëgjuar, ndjehet i parespektuar. E kush është ai prind që ka dëshirë që fëmijët e tyre të mos ndiejnë respekt për veten? Përkundrazi, prindërit aderojnë për vetërespekt dhe vendosshmëri, që zëri i tyre të dëgjohet? Pra kjo parimisht është një gjë e mirë që u ndodh fëmijëve adoleshentë. Por si mundet një prind të arrijë të kuptojë këtë nevojë të fëmijës dhe kur është momenti i duhur që prindi të shprehë dhe të tregojë merakun që ka dhe mosdakordësinë për sjellje dhe mendime të cilat ai nuk është dakord dhe nuk do t’i shikojë më tek fëmija i tij? Se fundja, ky është meraku që prindi ka, se fëmija i tyre nuk është më si më parë dhe se ndryshimet do të duhet të vijnë në formën që ata duan, dhe mundësisht të vazhdojnë ta kenë jetën e fëmijës në kontroll sikundër e kanë patur deri tani. Eh, ndoshta me zë të lartë asnjë prind nuk e thotë këtë, por thellë-thëllë të gjithë prindërit “vdesin” nga dëshira për të patur pikërisht këtë “pushtet.”

Epo, nëse do të duam që t’u afrohemi fëmijëve, do të duhet të ndajmë pushtetin, ose më mirë, të japim dorëheqjen nga pushteti. Filloni duke mos lektuar. Lektimi tek fëmijët i pengon vet prindërit që t’i afrohen fëmijës dhe të kuptojnë më shumë rreth tyre. Zakonisht ky lloj komunikimi të çon në paramendim, në supozime dhe në keqkuptime. Lektimi konsiston në shumë “të folur” dhe shumë pak “të dëgjuar.” Dhe ajo që ndodh është se fëmijët fillojnë të mësojmë përmendësh atë që ju thoni, dhe në diskutimin e ardhshëm ata bëhen akoma më nervoz, pasi e dinë thuajse tërësisht atë që ju do të thoni, dhe madje mund t’ju imitojnë edhe gjestet që bëni… ata e dinë madje edhe se si do të ndjeheni në fund.

Por nëse nuk është ajo që t’i thua (lektimi) mundësia më e mirë për t’u afruar tek adoleshentët, atëherë cila është ajo që do të ndryshonte rrjedhën e situatës?

Studiuesi shumë i njohur i sjelljeve të adoleshentëve Prof/Dr. John Duffy inkurajon prindërit dhe adoleshentët të kenë “marrëdhënie diskutimi dy-anëshe”, dhe të tregojnë kuriozitet se duan t’i njohin fëmijët e tyre, për të njohur kështu më mirë njëri-tjetrin. Kjo të çon në respekt dhe dashuri të çiltër dhe në një marrëdhënie të sinqertë për të cilën adoloshentët e kanë shumë të nevojshëm.

Gjithashtu Dr. Duffy, në studimin e tij, diskuton disa strategji që ndihmojnë prindërit për të vendosur kontaktet me fëmijët e tyre:

Bjeri shkurt!

Një nga gjërat që i inkurajon prindërve të bëjnë, në fakt, është që të përdorin 25% të fjalëve që kanë ndërmend të thonë. Kjo sepse tashmë adoleshentët e kanë kulturalisht të ngulitur në kokë që ajo që prindërit do të thonë, ka shumë mundësi të jetë e mërzitshme. Pra, ju vini me një të kaluar delikate dhe për ta reabilituar, mos rrezikoni të bëheni “zhurma” në kokën e tyre. Nga ana tjetër, kur kaloni më shumë kohë duke u zhytur në mendime, pra në reflektim, ka shumë gjasa që adoleshentët mezi presin të dëgjojnë se çfarë keni për të thënë.

Bëni pyetje të hapura!

Në vend që të pyesni, “si kalove në shkollë sot?” thoni,“më fol pak për shkollën sot”. Një tjetër shembull do të ishte: “më trego disi për Instagramin, ose për twiterin, ose Snapchat, ose për facebookun se si funksionojnë. Premtojini që nuk do t’i bëni kurrë kërkesë për friend në këto rrjete sociale, pasi janë hapsira ku ata shprehen lirshëm dhe ju nuk e keni vendin aty. Kjo minimizon të folurin kritik ose manipulues. Ju thjesht interesoheni për dëshirat dhe aktivitete e fëmijës.

Krijoni mundësi që të siguroheni se VETËM një pjesë shumë e vogël e bashkëbisedimit me fëmijën adoleshent të jetë rreth asaj se çfarë ka që nuk shkon, ose çfarë po shkon gabim, ose se çfarë do të duhet të ndryshonte (se patjetër që duhet të ketë biseda të këtilla), pasi fëmijët tentojnë që të jenë shumë të pasigurtë në qënien e tyre, edhe pse duken sikur janë shumë arrogantë dhe sikur i dinë të gjitha. Kështu që, është një ndihmë e madhe për ata që nga goja juaj të dalin mendime pozitive rreth tyre.

Njihni fëmijën tuaj adoleshent

Në këtë rast, do të duhet të jeni praktik, spontan sepse adoleshentët e kanë shumë me qejf aventurën edhe në bisedë. Afrojuni me kuriozitetin e një fëmije të çiltër dhe mendjehapur. Bëjini atyre pyetje pa patur një axhendë në mendje. Ndoshta nuk jeni shumë të sigurtë se ku dhe si t’ia nisni bisedën? Thjesht p.sh duke ia vënë në pah kufjet në vesh dhe pyeteni se çfarë po dëgjon dhe pse? Shikoni së bashku serialin e preferuar edhe pse nuk është i preferuari juaj, dhe disa prej videove në you tube, dhe KUJDES! Shmangni sa më shumë të jetë e mundur të gjykoni adoleshentët dhe shijet etyre, përkundrazi fokusohuni në të dëgjurit dhe të mësuarit të asaj që dëgjoni. As vet adoleshentët nuk e kanë shumë të qartë se përse i pëlqejnë ato që pëlqejnë, thjesht për momentin janë disa modele në shqyrtim për t’u identifikuar dhe për të përmbushur egocentrizmin e tyre.

Mos gjykoni

Mos e gjykoni fëmijën tuaj, ose shokët e tij në lidhje me thelbin e tyre, karakterin. Kur ju veproni kështu, krijoni një ndarje midis fëmijës suaj dhe ju. Ata e marrin me mend se ju nuk e kuptoni atë dhe shokët e tij/saj. Është ok nëse ju nuk aprovoni veprimet, por jo personat. Nëse gjykoni shokët, atëherë edhe fëmija do të ndjehet më shumë pjesë e tyre dhe ju nuk do të vlerësoni zgjedhjen e fëmijës. Prindërit mund të jenë paragjykues në raport me: veshjet, qëndrimin dhe veprimet shpenguese të një adoleshenti, dhe hera-herës nxitohen të vendosin epitete si rrugaçë, djemë të papërshtatshëm, ose vajza të hedhura, të përdala, etj. Ju mund të argumentoni sjelljet e adoleshentëve, por kujdes kur përcaktoni personalitetin e tyre, mosi refuzoni ata. Është e thjeshtë të gjykosh një adoleshent, i/e cili/cila është i/e humbur në heroizmin e provës së jetës dhe të pyetjes së madhe se “kush është ai/ajo” Sigurisht, në këtë konfuzitet, merren edhe vendime të papërshtatshme, por ne nuk jemi aty për të gjykuar, jemi aty për të qenë pjesë e jetës së fëmijës, pikërisht që këto gjëra të mos ndodhin, që fëmija në fund të ditës, të mos mendojë se askush nuk e kupton dhe se sa vetëm është.

Njihuni me veten tuaj

Një hap shumë i nevojshëm është të njohësh fëmijët, por një hap akoma më i rëndësishëm është të njohësh veteten si prind. Për këtë nevojitet, të njohësh dhe origjinën tënde familjare shumë mirë. Nëse mendoni për një çast se si ju zakonisht zemëroheni, frustroheni apo zhgënjeheni nga veprimet e fëmijës suaj, gërmoni më thellë për të parë se çfarë fshihet mbas reagimeve tuaja. Të shikoni nëse këto reagime vijnë si pasojë e ngarkesës suaj, apo është e lidhur realisht me fëmijën, për të frenuar drejt vetveten nga gabimet e zakonshme që prindërit kryejnë.

Ka baballarë të cilët tërthorazi përpiqen t’i imponojnë djalit të tyre ambiciet dhe dëshirën për punë, karrierë dhe u qëndrojnë pranë fëmijëve po aq tërthorazi, që ata indirekt të kuptojnë prezencën dhe vëmendjen e tyre. Dhe ka nëna, të cilat presin që vajza e tyre, të mund të jetë drejtuese e disa grupeve të caktuara ose të mund të marrin pjesë në disa kurse sepse edhe ato kështu kanë vepruar në jetë. Pra, kemi prindër të cilët punojnë shumë fort me fëmijët e tyre që të kenë fëmijët më të “kompletuar” më të përmbushur për të cilët mund të mburren dhe lëvdohen haptazi. E gjithë kjo është mënyra më e gabuar e prindërimit, pasi padiskutim që përmbush më së shumti nevojat e vet prindërve, por jo nevojat e fëmijëve. Me adoleshentët ky moment është shumë i rëndësishëm, pasi ata kërkojnë mbi të gjitha që të bëni kujdes dhe t’i vlerësoni nevojat, aspiratat e tyre. Vetëm kështu mund të “pastroni” rrugët e komunikimit me fëmijën për t’i qënë më pranë tij.

Flitini fëmijës suaj sikur nuk e njihni atë

Një mënyrë e mirë për t’iu përshtatur në marrëdhënie fëmijës suaj adoleshent, është t’i trajtosh sikur të ishte komshiu juaj, ose fëmija i kushëririt tuaj. Ju duket për të qeshur? Edhe mua në fakt!:-) Kjo gjendje, do t’ju ndihmonte të largonit nga vetja kompleksin e komunikimit të varfër që keni patur deri më tani. Mbi të gjitha, ju do të mendoni se si t’i afroheni fëmijës suaj me më shumë ide dhe me më shumë ëmbëlsi. E keni vënë re se si me fëmijët jashtë familjes jemi më të qetë dhe më të dashur në komunikim? Ndoshta është nga sedra e kultivuar kulturalisht. Epo, do të duhet të gjeni këtë atmosferë edhe tek fëmijët tuaj adoleshent, pse jo, po me aq seder.

Luani me ata

Nuk e kam kuptuar ende pse prindërit, sapo fëmija rritet dhe arrin moshën e pubertetit, krijojnë një autonomi të lartë, stopojnë së luajturi. E marrin të mirëqenë faktin se fëmija është i rritur tani dhe nuk ka nevojë të luajë. Duket sikur ne, prindërit, kemi frikë prej tyre, prej ardhmërisë, prej sjelljeve që ndryshojnë, dhe harrojmë të vazhdojmë të argëtohemi me ata.

Mendojeni vetëm për disa çaste sa bukur do qe, sikur të uleshit përpara TV-së me fëmijën tuaj adoleshent, të shikonit një serial ose komedi, të qeshnit së bashku, përpara se të shkoni për të fjetur. Po sikur të luanit lojën mos u nxeh, të një varianti më adult, me dënime? Po sikur të imitonit personazhe të ndryshëm, si në formën e festivalit të komedisë dhe të krijonit një juri (mami dhe vëllai ose motra) që të vendosin pikët për aktorin më të mirë imitues? A nuk keni dhe ju ide më të mira se këto? A premtoni se do të organizoheni dhe t’ia propozoni fëmijës suaj? Mund të pranoni edhe jo si përgjigje, por kur fëmija të ketë dëshirë do të jetë 100% me ju.

Të dashur prindër! Sigurisht që do të jenë shumë ditë që do të doni të kaloni kohë dhe t’i flisni fëmijës suaj, por kjo nuk do të ndodhë gjithmonë. Edhe pse do të përballeni me këtë realitet, çdo gjë është në rregull, më besoni. Nuk është e thjeshtë të gjesh gjuhën me adoleshentët, dhe është e rëndësishme ta respektojmë dhe pranojmë këtë situatë. Ju mund të mendoni se keni dështuar deri tani, por nuk është kështu. Keni kohë të ridimensiononi marrëdhënien dhe mbi të gjitha keni kohë të filloni që sot të mos e thoni në sy të fëmijës se ju keni dështuar. Nuk është një gjë e zgjuar të ulni personalitetin tuaj dhe kompetencën tuaj si prind. Ju do të duhet të bëni një detyrë të thjeshtë: lëreni të hapur derën që fëmijët t’ju afrohen dhe të flasin me ju, jashtë çdo paragjykimi dhe ndëshkimi, por pranimi dhe lehtësimi. Edhe një herë, mënyra më e mirë është që ju të jeni kurioz, të hapur dhe të pranishëm. Më besoni, kam njohur shumë adoleshentë deri më tani, dhe duhet t’ju them se ata janë të mrekullueshëm, shumë të thellë dhe të ndjeshëm. Ju duhet vetëm që t’i pyesni, të jeni dëgjues aktiv dhe t’i kushtoni vëmendje që t’i njihni ata më mirë. Mos mendoni ende se keni bërë gjithshka, por ata… ata nuk ju dëgjojnë. Filloni duke menduar se kur ka qënë hera e fundit që ju REALISHT i keni dëgjuar. Mund të surprizoheni prej tyre sa shumë gjëra kanë për t’ju thënë. Sa shumë dinë edhe pse ende kanë një jetë përpara për t’i jetuar.

(Nga: Drnt. Denata Toçe)

Share With:
Translate »
1561 Views