Lira Gjika jep alarmin: Prindër, mos i bëni fëmijët shokë

Për të gjithë ata prindër që e konsiderojnë si pikë të fortë të marrëdhënies me fëmijët të qenit shok me të, Lira Gjika sqaron përse në fakt kjo është një pikë e dobët.

“Forma e marrëdhënies, ku prindi bëhet dhe shok me fëmijën, po akuzohet gjithmonë e më shumë nga specialistët që merren me studimin e psihës njerëzore, sidomos ata që kanë në qendër studimin e periudhës më të vështirë të jetës së njeriut, adoleshencën. Truri i adoleshentit nuk e ka mbaruar pjekjen dhe ka nevojë për “kufij” të qartë që të mund të vazhdojë procesin e rritjes. Në këtë fazë të jetës njeriu adoleshent, gati-gati e ka të pamundur të mendojë për pasojën e një veprimi. Shpesh nuk realizon pakthyeshmërinë e një veprimi, si shpejtësia e madhe apo vetëvrasja. Shpesh është veprimi që e mer përpara dhe jo ai të kontrollojë veprimin. Pra të kuptuarit e pasojave të një veprimi është shumë e vështirë për adoleshentin. Adoleshenti gjithashtu “pushtohet”nga reagime impulsive shumë të fortë që kërkojnë shumë mund për t’u mbajtur nën kontroll duke krijuar shumë vështirësi në sjelljen e tij.

Prindërit duhet t’u vendosin rregulla dhe kufij fëmijës adoleshent, që jeton çaste të vështira e konfuze, pasi “kufijtë” janë si parmakët e një ure apo humnere që nuk lejojnë të biesh. Ato rregullat dhe kufijtë, e ndihmojnë, madje e shpëtojnë adoleshentin. Prindërit duhet të jenë prezent dhe të besueshëm. Ata duhet të jenë model për ta, jo shokë. Shokët i zgjedh vetë adoleshenti dhe për më tepër, që ky, është një proces tjetër shumë i rëndësishëm, zgjedhja dhe pranimi i një tjetri si vetja me të cilin, nuk ka lidhje gjaku.

Kjo zgjedhje, që prindërit bëhen shokë me fëmijën, sipas specialistëve është një përzjerje e përtesës me paaftësinë e të rriturit për të bërë detyrën dhe të durojë presionin e energjisë së adoleshentit, por nuk ka rrugë tjetër. I rrituri në përgjithësi dhe prindi në veçanti, është si kapiteni, që jep komandën, drejton, i mëson rregullin dhe i nxjer nga beteja fitimtarë. Prindi shok jo vetëm që e lë vetëm adoleshentin në fushën e betejës së jetës, por i tregon se të jesh i rritur, nuk është gjë tjetër, por një njeri që po i mbarojnë energjitë. Kjo mënyrë po përhapet me të shpejtë edhe te ne”, shkruan Lira Gjika.

Share With:
Translate »
593 Views