Marjeta Ljarja, nuse në kohën kur vajzat zbukuroheshin vetë e shkëlqenin aq shumë, sot një gjyshe sharmante
Marjeta dhe Rikard Ljarja janë një nga ato çiftet ikonë të kinemasë shqiptare që dhe sot kanë ende shumë për të thënë për historinë e tyre të dashurisë.
E ftuar në Pasdite në Top Channel, aktorja e njohur ka treguar për takimin e parë me Rikardin gjatë xhirimit të një filmi, dashurinë e tyre dhe martesën dy vjet më pas.
“Unë ngelem fëmija, me ëndrra të vazhdueshme, ndërsa Rikardi është natyrë tjetër, më i rëndë, i zhytur në botën e tij të librave, por çiftet kështu janë, të kundërta”, ka treguar Marjeta, e cila ka theksuar rëndësinë e tolerancës në një çift për ta shpëtuar martesën.
Duke kujtuar edhe një nga filmat e Kinostudios ku ajo ka luajtur, ku flitet pikërisht si e përjeton fëmija, ndarjen e prindërve, Marjeta ka thënë që më shumë nga konfliktet e prindërve, vuajnë fëmijët, për këtë arsye të rriturit duhet të bëjnë sakrifica dhe lëshime për ta shpëtuar një martesë. “E jap këtë dhe si këshillë për çiftet sot”, ka thënë ajo.
Kështu ka bërë dhe Marjeta dhe Rikardi dhe sot kanë familjen e tyre të madhe. “Sot gëzojmë vajzën, djalin, fëmijët e tyre dhe presim të tjerë siç vazhdon jeta. Unë kam bërë lëshime dhe falënderoj Rikardin që ka bërë lëshime ndaj meje”, ka thënë Marjeta.
Ajo ka kujtuar edhe ditën e dasmës, kur është bërë nuse vetë. “Po, po, e thjeshtë siç kam qenë gjithmonë dhe tani që mezi pres ta heq grimin, ashtu kam qenë dhe ditën e dasmës. U rregullova vetë, shpejt e shpejt rregullova flokët, vendosa ato lulet…Por atëherë ishte gjithçka për herë të parë dhe shkëlqenin sytë”, ka përshkruar atë që shihet qartë.

Ndryshe nga tani kur nuset transformohen, atëherë dhe gjatë asaj dite ruhej natyrshmëria. “Sot po të më japësh një fotografi duhet të më thuash cila është nusja. Ti mund ta kesh njohur vajzë, por nuk e njeh nuse”, ka bërë shaka Marjeta.
Megjithatë, e thjeshtë siç është, ajo vërtet ka dalë një nuse shumë e bukur dhe ato lulet në kokë janë aq origjinale sa dhe shumë nuse sot nuk do guxonin t’i mbanin nëse nuk do ishin me stil e të veçanta.