Maya rrëfen prapaskenat e klipit me të birin
Vetëm 3 javë mëparë, Maya publikoi këngën e parë për të birin, me të protagonist. Këngëtarja e muzikës popullore, doli për herë të parë për ta promovuar këtë projekt në ‘Ftesë në pesë’. Me shumë emocion, ajo rrëfeu se e kish pritur këtë këngë me shumë gëzim dhe frymëzimin për ta realizuar e mori nga urimet që i erdhën prej miqve dhe dashamirësve kur u bë nënë. “Më uronin me fjalët: U bëftë lis, sepse këtej nga anët tona, ky është urimi më i mirë për një fëmijë. Dhe aty më lindi ideja që kënga për Jonas të ishte me fjalën lis”, rrëfeu Maya.
I biri, është edhe protagonist në klipin muzikor. Maya pranoi se megjithëse i vogël, ai nuk e mundoi gjatë xhirimeve, pasi e ndjente që ishte një punë për t’u bërë.
Kjo ishte hera e parë që Maya dilte kaq hapur me djalin, portretin e të cilit më herët e kishte publikuar shumë pak.