Mbesa 4-vjeçare e George Floyd qëllohet me armë zjarri, shënjestrohet familja e saj, vogëlushja po flinte gjumë
Mbesa 4-vjeçare e George Floyd u qëllua me armë teksa flinte gjumë në shtratin e saj.
Sipas raportimeve në mediat amerikane, Ariana është qëlluar me plumb në trup por pas një operacioni urgjent ajo ndodhet në gjendje të qëndrueshme.
Raportohet se plumbat i shpuan mushkëritë dhe mëlçinë, ndërsa i thyen edhe tre brinjë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit dhe në banesën e familjes në Hjuston, përveç fëmijës 4-vjeçar, ndodheshin edhe pesë persona të tjerë.
Autoritetet policore të Hjustonit, theksojnë se ende nuk dihet nëse sulmi është kryer nga një autor apo më shumë, as motivet e ngjarjes. Familja e vajzës së vogël, sipas ABC 13 Houston, shpesh merrte pjesë në marshime dhe mitingje, duke kërkuar drejtësi për George Floyd. Në to ka marrë pjesë edhe vajza 4-vjeçare. Babai i vogëlushes ka deklaruar se ka arsye të besojë se shtëpia e tij është shënjestruar.