Me lot në sy/ E bija e Hajrie Rondos: Nuk i kam parë më filmat e mamit, që kur ndërroi jetë 7 vite më parë
Me lot në sy, vajza e Hajrie Rondos, Klea Rondo ka zbuluar se që prej ndarjes nga jeta të nënës nuk ka parë më asnjë film të saj.
Në një intervistë tepër emocionuese për “Pas Mesnate”, ajo tha se ndodh shpesh që kur kalon kanalet e televizorit t’i shfaqet nëna e saj, por zgjedh të mos e shohë, pasi nuk do të trazojë kujtimet.
Klea theksoi se e ka pasur shumë të vështirë largimin nga jeta të nënës, pasi në periudhën që ishte sëmurë u lidhën dhe më fortë.
“Për mua nuk është e lehtë. Ka ndodh diçka, që mbas largimit të saj, unë nuk e kam të lehtë ta shoh në filma. Ende nuk e kam kapërcyer ikjen e saj, edhe pse kanë kaluar 7 vite. Ndodh shpesh që unë rastësisht me pultin e televizorit kaloj dhe në ndonjë moment ajo mund të shfaqet, e kaloj, nuk e kam të lehtë. Që prej 7 vitesh nuk kam parë asnjë nga filmat e saj. Për mua çdo gjë ka stopuar para 7 vitesh në marrëdhënie me të. Nuk është kollaj. Unë i kam rezervuar brenda të gjitha kujtimet që kam gjithë jetën time me të, e kam konservuar dhe i kam lënë ashtu, nuk kam dashur t’i trazojë. E kam lënë aty brenda zemrës sime dhe është aty.
E kam pasur shumë të vështirë, largimin nga jeta të saj, sidomos katër vitet që mami ishte sëmurë, u lidhëm dhe më shumë. Kjo sëmundje kaq e vështirë të bën që ti t’i japësh të sëmurit jo vetëm ndihmë fizike, por mundohesh që me kurajon t’i përcjellësh asaj optimizëm”, tregoi Klea.