Më mirë mos u kërko fëmijëve të thonë ç’mendojnë për ty. Ja ç’i panë sytë Blerinës që e provoi

Kur vjen puna tek fotot dhe videot e fëmijëve, banorët e Instagramit ndahen në dy grupe të mëdha: ata që i fshehin dhe ata që i ekspozojnë fëmijët. Këta që i ekspozojnë, ndahen gjithashtu në dy grupe të mëdha: ata që nxjerrin vetëm fëmijë të mençur, të përkryer, të larë, të hekurosur e gjithë edukatë, dhe ata që i nxjerrin siç i kanë. Në këtë grupin e atyre që i nxjerrin siç i kanë, fëmijët e Blerina Bombajt mbajnë kampion. Dhe këtu nuk e kemi fjalën vetëm për rastet kur rrudhin buzët live teksa mami dietologe i detyron të hanë kungull, kur zhgërryhen për qejf të shpirtit me qenushët e shtëpisë në oborr, apo kur nuk ia japin që nuk ia japin një të uruar buzëqeshje të ëmës.

Po t’u shtosh këtyre edhe këto dy letra, ku Dini dhe Ana kanë përshkruar mami Blerinën (e cila është kruajtur vetë), atëherë ne mendojmë që nuk ka asnjë votë kundër për shpalljen e të dyve si fëmijët më origjinalë të Instagramit. Sigurisht, meritat i shkojnë mami Blerinës, e cila me sportivitetin dhe autoironinë ka marrëdhënie të shkëlqyera dhe as që merr mundimin të censurojë fëmijërinë e fëmijëve të saj. Gjithsesi, ju mos e provoni në shtëpi. Duhen këllqe të forta të lexosh mendimin e sinqertë të fëmijëve. Sidomos të atyre të rritur të lirë.

 

Share With:
Translate »
1361 Views