Më në fund punonjëses “i erdhi radha”, prindërit u japin atësinë fëmijëve pas 27 vitesh
Adriana dhe Bujar Hajdari, nga Elbasani tregojnë, se kanë 27 vite bashkëjetesë, pa celebrim. Ata kanë dy fëmijë 25 dhe 27 vjeç. Prej dy vjetësh janë martuar me letra dhe donin t’u jepnin fëmijëve atësinë dhe mbiemrin, por gjendja civile në Elbasan i drejtoi në gjyq.
Në seancën e parë, kur gjykata vuri në dijeni gjendjen civile, kjo e fundit i kthen 4 herë përgjigje, se ia jep ky institucion atësinë, pa patur nevojën e gjyqit. Në këtë mënyrë u mbyll gjyqi dhe çifti u rikthye të zgjidhte problemin në gjendjen civile.
“Ju bëjmë me dije se shtetasit Bujar dhe Adriana Hajdari kanë lidhur martesën dhe tani fëmijët që i pretendojnë si të tyret janë madhor dhe njohjen e atësisë mund ta bëjmë ne si gjendje civile, jo gjykata”, kjo është përgjigja zyrtare e Zyrës Civile në Elbasan e lexuar nga gazetarja e Stop.
Sipas denoncuesve ata kanë edhe tre përgjigje të tilla të njëjta, por prapë problemi i tyre nuk është zgjidhur, pasi punonjëset thonë gjithmonë, se nuk e kanë radhën. Avokati i Adrianës dhe Bujarit, Demir Çiftja, tregon gjithë odisenë e shkresave mes gjykatës dhe gjendjes civile.
“I jemi drejtuar Gjykatë së rrethit Gjyqësor në Elbasan me një kërkesë padi për njohje atësie. Pasi gjykata është njohur me padinë tone ka detyrim ligjor që të njohi palën, personin e tretë që është Zyra e Gjendjes Civile në Elbasan. Në këtë moment zyra e Gjendjes Civile ka sjellë katër përgjigje…”, Demir Çiftja ka lexuar për emisionin Stop të katër përgjigjet të cilat kanë po të njëjtin tekst edhe pse janë dërguar në data të ndryshme: Ju bëjmë me dije se shtetasit Bujar dhe Adriana Hajdari kanë lidhur martesën dhe tani fëmijët që i pretendojnë si të tyret janë madhor dhe njohjen e atësisë mund ta bëjmë ne si gjendje civile, jo gjykata.
“Duke qenë se Gjendja Civile na ka sjellë këto përgjigje, ne jemi të detyruar të tërhiqemi nga padia dhe ne u tëhoqëm nga padia me pretendimin se gjendja civile do e zgjidhi këtë punë vetë. Kemi shkuar në gjendjen civile dhe gjendja civile prapë na çoi në gjykatë. Për këtë arsye ne në datë 04.11.2022 i kemi bërë një kërkesë ankesë drejtorit të përgjithshëm të gjendjes civile ku i kemi pasqyruar të gjitha rrethanat dhe faktet se çfarë ka ndodhur që nga momenti i parë që kemi paraqitur padinë në gjykatë dhe të gjitha katër përgjigjet bashkëngjitur dhe deri në këtë moment që flasim nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, shtoi Demir Çiftja.
Gazetarja e “Stop” i drejtohet gjendjes civile Elbasan, ku sërish punonjëset ia hedhin topin njëra-tjetrës. Në fund gazetarja komunikon me Shefki Likën, përgjegjësin e zyrës, i cili thotë, se njohja e atësisë do të zgjidhet, por mbiemri do të çohet në gjyq. Dhe pas kalimit të radhës së punonjëseve të gjendjes civile nga Manjola te Mamica, nga Mamica te Bardha, zgjidhja erdhi vetëm nga përgjegjësi i zyrës Shefki Lika.
Adriana dhe Bujar Hajdari, janë të kënaqur që u dhanë atësinë fëmijëve dhe do t’i drejtohen sërish gjykatës për çështjen e mbiemrit.