Më trego çfarë nëne je, të të them sa i shëndetshëm është fëmija yt
Sipas një studimi të publikuar në “British Medical Journal”, mundësitë për t’u bërë obezë, janë 75% më të ulëta te fëmijët dhe adoleshentët, nënat e të cilëve ndjekin një stil jete të shëndetshëm (bëjnë aktivitet fizik të rregullt, ruajnë një peshë të shëndetshme, pinë pije alkolike me masë dhe nuk pinë duhan), krahasuar me fëmijët e nënave që nuk ndjekin zakone të tilla. Nëse edhe fëmija ndjek një stil të tillë jete, mundësia e obezitetit zbret edhe më shumë, deri në 82%.
“Një në pesë fëmijë, me moshë 6-19 vjeç në SHBA, vuan nga obeziteti dhe është në rrezik të vazhdueshëm për diabet, sëmundje kardiake dhe patologji të tjera metabolike. Ndërsa është e njohur se gjenetika luan një rol në obezitet, shtimi me ritme të shpejta i sëmundjes gjatë viteve të fundit, mund të ndodhë për shkak të ndryshimit në stilin e jetës dhe në dietë”, konfirmon Qi Sun autor kryesor i studimit në shkollën e Shëndetit Publik në Boston. Kërkuesit kanë ekzaminuar të dhënat e 24.289 fëmijëve nga 16.945 gra të rekrutuara në “Nurses’ Health Study II” dhe kanë zbuluar se 1.282 fëmijë (5,3%) kanë zhvilluar obezitet gjatë një periudhe ndjekjeje mesatare prej 5 vjetësh.
Obeziteti i nënës, duhani dhe mungesa e aktivitetit fizik ishin shumë të lidhura me obezitetin mes fëmijëve dhe adoleshentëve. Rënia më e madhe e rrezikut për obezitet është vënë re kur nënat kanë ndjekur të gjitha zakonet e mira të hetuara nga studimi, por shumë zakone të marra në konsideratë në mënyrë të veçantë, kanë patur një ndikim të dukshëm në rrezikun e obezitetit infantil. Fëmijët e grave që kishin ruajtur një peshë trupore të shëndetshme, tregonin një rrezik më të ulët se 56% për obezitet, krahasuar me fëmijët e nënave që nuk e kishin bërë, ndërsa fëmijët e nënave që nuk pinin duhan, kishin një rrezik më të ulët se 31%, krahasuar me fëmijët e duhanpirëseve.
Rreziku i obezitetit ishte më i ulët më tej mes fëmijëve të nënave që pinin alkol në nivele të ulëta ose të moderuara, krahasuar me fëmijët e nënave që nuk pinin alkol. Për habinë e kërkuesve, ama, modelet dietike të nënave nuk kanë qenë të lidhura me obezitetin e fëmijëve, me shumë mundësi sepse dietat e fëmijëve ndikohen nga shumë faktorë, mes të cilëve dreka e ngrënë në shkollë dhe mundësitë e ushqyerjes, që ekzistojnë në lagjet ku banojnë.
“Rezultatet e këtij studimi mbështesin strategjitë e ndërhyrjes, të bazuara te familja ose prindërit, për të reduktuar rrezikun e obezitetit infantil”, përfundojnë kërkuesit.